Asamblisti i VV-së: Është momenti që Vitia të jetë kandidat për Prishtinën

Asamblisti i VV-së: Është momenti që Vitia të jetë kandidat për Prishtinën

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi, thotë se është momenti më mirë që një nga ministrat e Qeverisë Kurti, ai i Shëndetësisë, Arben Vitia, të jetë kandidat për Komunën e Prishtinës, në mënyrë që VV ta kthejë pushtetin në kryeqytet, transmeton Insajderi.

Ai thotë se është kërkesë e qytetarëve që Vitia të kandidojë, mirëpo partia ende nuk ka vendosur se cili do të jetë kandidat nga radhët e VV-së për kryetar të Prishtinës.

“Besoj se Prishtina definitivisht është një komunë e madhe nëse e krahason me komunat tjera. Përveç kësaj është edhe ligji për kryeqytet, që i mundëson kompetenca shtesë Komunës së Prishtinës. Gjendja me pandeminë fatmirësisht është në nivele jo të larta siç ka qenë para pak kohe. Ministri Vitia ka bërë punë të jashtëzakonshme edhe për sigurimin e vaksinave. Nuk konsideroj se rreziku gjatë pandemisë është i njëjti si para 6 muajve. Besoj se është moment i mirë që një nga ministrat më të mirë të Qeverisë Kurti të jetë kandidat për Komunën e Prishtinës”, ka thënë Azemi në emisionin “Sot” të KTV-së.

Azemi vet ka thënë se nuk e di nëse do të jetë pjesë e listës për garën për Kuvend Komunal të Prishtinës.

“E pamë herën e kaluar ndaj Albinit, Albulenës e dy kandidatëve tjerë të Lëvizjes, që iu ndalua të kandidonin për shkak të veprave penale të protestës. Nëse vlen prapë mund të pezullohem edhe unë nga kjo, pasi kam qenë disa herë i arrestuar gjatë aktiviteteve të Lëvizjes. Por, unë do të punoj në fushatë që Prishtina t’i kthehet qeverisjes së VV-së e të marrë fund gjendja kaotike që po ndodh në kryeqytet”, ka thënë Azemi. /Insajderi.com