
Ndërtimi i një mini-hidrocentrali përgjatë lumit Brod në Vranishtë të Dragashit, të premten shkaktoi një përleshje mes banorëve që protestonin kundër ndërtimit të tij dhe zyrtarëve të kompanisë “Eurokos”, që ka nisur ndërtimin e hidrocentralit.
E në përleshje nuk ishin përfshirë vetëm njerëz që mbajnë pozita brenda kompanisë në fjalë.
Në këtë incident u përfshi Konsulli i Kosovës në Sofje të Bullgarisë, Lulzim Rifaj, dhe djali i tij, Granit Rifaj, i cili është asamblist i Partisë Demokratikë të Kosovës në Dragash, raporton Gazeta Online Insajderi.
Asamblisti Rifaj ka thënë për Insajderin se punon si koordinator në kompaninë “Eurokos”, derisa babai i tij, Konsull i Kosovës në Bullgari, ka thënë se po qëndronte rastësisht në punën e djalit të tij brenda ambienteve të kompanisë, të premten.
Në një video të publikuar nga mediumi lokal Info-ks.net, shihet se Granit Rifaj e shqelmonte njërin nga protestuesit. Por, asamblisti i PDK-së thotë se e shqelmoi për vetëmbrojtje protestuesin, dhe se Policia e Kosovës nuk arriti ta mbronte atë dhe zyrtarët e tjerë të kompanisë “Eurokos”.
“E sa i përket asaj që ne i kemi sulmuar, është shpifje. Aty njerëzit vijnë na kërcënojnë dhe ofendojnë çdo ditë dhe në kurrë nuk i kemi sulmuar, por gjithmonë i kemi lajmëruar institucionet”, ka thënë Granit Rifaj.
“Në rastin konkret, numri i policisë ishte i vogël dhe jo vetëm që s’mundeshin ta mbanin situatën nën kontroll, por nuk mundeshin të na mbrojnë nga sulmet”, deklaroi Granit Rifaj.
Ndërkaq, Konsulli Lulzim Rifaj, ka mohuar të jetë aksionar në kompaninë e cila po e ndërton mini-hidrocentralin në Vranishtë.
“Në vendin ku është mbajtur protesta kam shkuar rastësisht me vizitu djalin tim që punon në këtë kompani”, është shprehur konsulli i Kosovës në Sofje të Bullgarisë, Lulzim Rifaj.
Konsulli i Republikës së Kosovës në Bullgari, Lulzim Rifaj po ashtu ka mohuar t’i ketë sulmuar me sëpatë protestuesit e mbledhur dje në fshatin Vranishtë të Dragashit, për të kundërshtuar ndërtimin e një mini-hidrocentrali. /Insajderi.com
Insajderi sjell hulumtimin për historinë e EL Chapo`s kosovar: I burgosuri që përfitoi 11 tenderë