Pas reagimit të Komunës së Malishevës, se rruga që u prish dje si pasojë e vërshimeve të shumta që shkaktuan reshjet e shiut, ishte e ndërtuar nga Ministria e Infrastrukturës, ka ardhur reagimi nga zyrtarë të kësaj ministrie duke thënë se ky dikaster vetëm ka qenë financues, njofton Insajderi.
Sipas Mal Lokajt, Drejtor për Menaxhim të Rrugëve në këtë institucion, kontrata bazë mbi këtë projekt është në Klinë, ndaj dhe mbikëqyrja dhe procedurat e prokurimit i takojnë komunës.
”Është rrugë lokale, procedurat e prokurimit i ka kryer Komuna e Klinës”.
”Nga ne është kryer investimi. Mbikëqyrjen e ka pasur komuna. Mbikëqyrjen e ka pasur vet komuna te veten. A ka pasur kompani kontraktuese mbikëqyrëse, ne nuk e dimë por prokurimin e kanë pasur komuna, projekti është dorëzuar në 2020 është kryer nga ne”.
Tutje Lokaj në një prononcim për KlanKosova ka shpjeguar se mirëmbajtja e rrugëve është përgjegjësi komunale.
”Ne nuk kemi asgjë tjetër. Në aspektin e mirëmbajtjes është përgjegjësi e komunave. Në rastin e vërshimeve shumë rrugë janë dëmtuar por kryesisht nuk janë në gjendje të keqe”, deklaroi ai./Insajderi.com