Takimi në Uashington

“Asgjë e jashtëzakonshme me 27 qershor”

Janusz Bugajski: Për Shtëpinë e Bardhë, arritja e një marrëveshjeje deri në muajin shtator, do të ishte ideale.

“Asgjë e jashtëzakonshme me 27 qershor”

Askush nuk pret diçka të jashtëzakonshme në takimin në Uashington me 27 qershor në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë eksperti amerikan për çështje të Ballkanit nga “Center for European Policy Analysis”, Janusz Bugajski, njofton Insajderi.

Në një intervistë për Kosova Press, Bugajski thotë se megjithatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tentojnë t’i japin një zgjidhje finale çështjes kosovaro-serbe.

“Administrata e presidentit (Donald) Trump është duke kërkuar një zgjidhje përfundimtare, edhe pse askush nuk është duke pritur diçka të jashtëzakonshme më 27 qershor”, ka deklaruara Bugajski.

Ai shton se SHBA-të janë të interesuara që të gjejnë një zgjidhje brenda këtij viti – madje qysh në fillim të vjeshtës.

“Për Shtëpinë e Bardhë, arritja e një marrëveshjeje deri në muajin shtator, do të ishte ideale. Ndoshta do të ketë premtime që palët të kthehen në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen, nëse ajo arrihet gjatë verës”.

Kosova dhe Serbia janë në dialog prej vitesh, por ai u pezullua në nëntor të vitit 2018, kur Qeveria e atëhershme pati vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës./Insajderi.com