Asgjësohen shpezë në 36 ferma si pasojë e gripit

Asgjësohen shpezë në 36 ferma si pasojë e gripit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka asgjësuar një numër të shpezëve në 36 ferma familjare, në lokacione të ndryshme nëpër Kosovë, për shkak të diagnostikimit të tyre me virusin H5N8, apo siç njihet ndryshe, gripi i shpezëve.

Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë institucion, tha se pas konfirmimit të prezencës se këtij virusi në fund të muajit të kaluar, AUV-i është duke monitoruar situatën në terren, më qëllim të parandalimit dhe luftimit të kësaj sëmundje.

Deri më tani në Kosovë, theksoi ai, nuk ka shpezë të prekura në ndonjë fermë komerciale, produktet e të cilave janë të pranishme në treg. Për këtë arsye, nuk ka dyshim apo rrezik për konsum të produkteve nga fermat vendore.

Thaçi potencoi se kanë sugjeruar konsumatorët të kenë kujdes gjatë furnizimit me mish të shpezëve dhe me vezë. Në një njoftim për media

“…deri më tani ne kemi kryer asgjësime në 36 ferma dhe jemi duke pranuar lajmërimet nga fermerët përmes numrit të kontaktit pa pagesë që ne menjëherë e kemi funksionalizuar, po ashtu përmes drejtorisë së shëndetit janë duke u kryer të gjitha organizimet në terren, deri më tani ne kemi arritur që ta mbajmë nën kontroll situatën”, deklaroi Thaçi për EO.

Tutje ai tha se situata është nën kontroll, duke shtuar se sipas hulumtimeve ndërkombëtare rreziku është i ulët për t’u përhapur ky grip përmes produkteve.

Virusi H5N8, është virus vdekjeprurës për shpezët në ferma dhe shpezët e egra. Në vitin 2021, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtatë persona punëtorë të një ferme janë infektuar në Rusi me këtë virus.

Ky virus, është duke qarkulluar në fermat në vende të ndryshme të Evropës që nga viti 2014. Sipas OBSH-së, infektimi me këtë virus i njerëzve konsiderohet shumë i ulët. Personat e infektuar duhet të mbikëqyren minimum 10 ditë, për të kontrolluar simptomat./Insajderi.com