ASH-AA: O bëjeni kryeministër Naser Zyberin o ikni në opozitë

“Opinioni duhet ta dijë se ka përfunduar koha kur partitë shqiptare shtyheshin në derën e qeverisë se kush do të hyjë më parë në të, duke ia ulur pazarin njëra-tjetrës".

ASH-AA: O bëjeni kryeministër Naser Zyberin o ikni në opozitë

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa sot me anë një komunikate për media ka informuar opinion në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, njofton Insajderi.

“Ne nuk kemi zhvilluar asnjë takim formal a çfarëdo takimi tjetër me temën e pjesëmarrjes në Qeveri dhe as që do të bisedojmë para se fituesi legal, por jolegjitim, i zgjedhjeve në kampin shqiptar, pra BDI, ta konsumojë të drejtën e tij për t’u bërë pjesë e qeverisë”, thuhet në komunikatë.

“Opinioni duhet ta dijë se ka përfunduar koha kur partitë shqiptare shtyheshin në derën e qeverisë se kush do të hyjë më parë në të, duke ia ulur pazarin njëra-tjetrës. Ndonëse ne jemi fituesit legjitimë të zgjedhjeve të 15 korrikut në kampin politik shqiptar, megjithatë nuk do të hyjmë në negociata derisa Bashkimi Demokratik ta përmbushë premtimin për ta bërë Naser Zyberin kryeministër”.

“Madje, siç edhe e kemi thënë, nëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut vjen një propozim për kabinet qeveritar, ku Zyberi është kandidat për kryeministër, ne me 12 deputetët tanë do ta votojmë atë. Por, nëse BDI-ja nuk arrin ta realizojë këtë zotim, për të cilin e ka legalitetin, ajo parti nuk ka të drejtë që ndryshe të marrë pjesë në qeveri dhe prandaj vendi i saj mbetet opozita”, thonë nga ky koalicion.

Më tej ata shtojnë se “edhe një herë shkurt e shqip ju drejtohemi, o bëjeni kryeministër Naser Zyberin o ikni në opozitë”./Insajderi.com