Ish-përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, e cila ishte ndërmjetëse në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, sot në Prishtinë ka folur për procesin aktual të dialogut, si dhe për përpjekjet e saj në kohën kur i lehtësoi negociatat.
Ajo tha se ndërmjetësit evropianë dhe BE-ja po përpiqen që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ketë sukses meqë besojnë në të dhe duan ta bëjnë.
Ashton tha se edhe Josep Borrell, që tanimë është në postin që kishte ajo, po e bën të njëjtën, derisa për emisarin Miroslav Lajçak shtoi se e do suksesin e këtij procesi.
Ashton tha se ajo që po bën Kosova dhe Serbia është e vështirë dhe e rrallë, sepse nuk ndodh në shumë vende të botës.
“Ajo çfarë po provoni të bëni është për të ardhmen. Ju duhet të njihni dhe të respektoni të kaluarën, të njihni dhe të respektoni njerëzit që kanë vuiajtur, shumë njerëz. Dhe duhet ta dini se ajo çfarë po bëni dhe keni bërë në të kaluarën është që ta bëni të ardhmen më të mirë. Dhe kjo kërkon kurajë dhe lidership. Dhe është diçka e rrallë që ndodh në botë, ju s’mund ta gjeni shpesh. Por e gjeta këtu dhe në Serbi”.
“Ne nuk e dinim se sa larg do të shkonim apo do të kishim sukses”, tha ajo.
Ashton tha se BE dhe SHBA kanë punuar bashkë që nga atëherë për procesin e dialogut.
“Shpresoj ta kuptoni se koha e kaluar në dialog ka qenë e vështirë. E ardhmja e këtij rajoni është në Bashkimin Europian, është më mirë për ekonominë, për zhvillimin e të rinjve”.