Askujt nuk do t’i lejohet që të bëjë pazare me kufijtë e Kosovës thotë Osmani

Askujt nuk do t’i lejohet që të bëjë pazare me kufijtë e Kosovës thotë Osmani

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se askujt nuk do t’i lejohet që të bëjë pazare me kufijtë e Kosovës, njofton Insajderi.

Këtë deklaratë Osmani e bëri gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e Mitrovicës.

“Çështjet politike është që do të më shihni edhe shumë gjatë në skenën politike të Kosovës dhe do të më shihni me njerëzit që ja duan të mirën Kosovës dhe tash po shihet se kush ja don të mirën Kosovës. Unë do të jem aty ku më duan qytetarët…Në qoftë se dikujt i shkon mendja ta bëjë pjesë të negociatave qoftë duke i dhënë territor apo duke e shndërruar Mitrovicën në një vend jo funksional atëherë plane të tilla nuk do të lejohen”, është shprehur Osmani, raporton EO.

Në këtë takim u fol edhe për çështjen e ambientit, për të cilën temë Osmani ka thënë se duhet të flitet më shumë se një herë në vit.

“Shumë njerëz mendojnë që tema ambientit është temë luksi, por nuk është sepse shëndeti nuk është luks. Mos të flasim për ambientin vetëm një ditë në vit, por të flasim çdo ditë sepse në Kosovë numri i qytetarëve tanë që vdesin nga ndotja e ambientit është numër i madh”.

“Në emër të kuvendit të solidarizohemi me qytetarë e Mitrovicës për këtë pandemi të tmerrshme, por duhet të siguroheni qe kurdo që vjen momenti që rindërtimi i ekonomisë sonë të bëhet duke ndërtuar një ambient për të gjithë. Investimi kryesor do të duhet të jetë në arsim dhe ambient. Ne duhet ta detyrojmë qeverinë me ligj qe të mbjellë drunj në komuna”, ka thënë Osmani.

Kurse, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se në komunën të cilën e drejton ai tani për tani janë duke u pastruar dy lumenj.

“Secili prej neve mundet me dhanë kontributin sidomos qytetarët që duhet ta dinë se pa pastërti nuk ka qytet. Ne i kemi 4 lumenj në Mitrovicë dhe 2 jemi duke i pastruar. “Ndërsa projekti i cili lidhet ky liqen akumulues do të vazhdon deri te ura e Ibrit, ku do të jenë edhe shëtitore, pjesë dekoruese të qytetit që sigurisht do të jenë pjesë të gjelbëruara”, është shprehur Bahtiri. /Insajderi.com/