Emërimi i ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherëshit kundërshtarit më të zëshëm të marrëveshjes së shënjimit të kufijve me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi në krye të Komisionit Shtetëror të Demarkacionit, nuk asnjë siguri se do të arrij të argumentojë pretendimin i kryeministrit Ramush Haradinaj, për kufirin e Kosovës dhe Malin e Zi.
Kjo pasi që Bulliqi gjatë kohës sa ishte deputet i LDK-së ka qenë kryekëput kundër demarkimit të kufijve me shtetin malazez.
Madje, për këtë arsye ai mori dënim nga shefi i tij, Isa Mustafa, duke u lënë jashtë listës për deputet të Kuvendit të Kosovës. Megjithëkëtë, Bulliqi aktualisht në Qeverinë Haradinaj do të drejtoj komisionin i cili do bëj rishikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Këshilltari politik i Haradinaj, Arbër Vllahiu thonë se emërimi i Bulliqit është bërë me qëllim të arritjes së një zgjidhje për demarkacionin.
“Procesi i demarkacionit nuk ka marrë epilog, prandaj Kosova ka pasur nevojë për të gjetur zgjidhjen dhe për ta përfunduar këtë çështje të hapur”, ka deklaruar Vllahiu për Insajderin.
Tutje, Vllahiu i pyetur për emërimin e Bulliqit në krye të komisionit të demarkacionit ka thënë se puna e tij do vlerësohet tek në fund.
“Le të vlerësohet puna e komisionit pasi të ketë përfunduar gjetjet. Dhe pas kësaj do të vlerësohen edhe hapat e mëtejmë”, ka thënë Vllahiu.
Edhe pse me marrjen e postit, Bulliqi u shpreh i gatshëm në përfundimin e detyrës që i është ngarkuar, tani nuk pranon të flet për punën e këtij komisioni.
“Nuk kam koment”, ka thënë Bulliqi, teksa është pyetur për punën që është duke bërë Komisioni Shtetëror për Demarkacion.
Kurse njohësi i çështjeve politike në vend, Dimal Basha ka vlerësuar se emërimi i Shpejtim Bulliqit në krye të komisionit për demarkacion nuk është asgjë më shumë se sa një shaka.
“Emërimi i z. Bulliqi është një hajgare shtesë sepse nuk mund të ndryshoj asgjë në marrëveshje, dhe ketë marrëveshje mund ta vlerësoj vetëm një gjykatë ndërkombëtare”, ka thënë Basha.
Më tej ai thekson se këto “alternativa” që po ofrohen tani nga ekzekutivi nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje.
“Unë vazhdoj të besoj se Demarkacioni ka qenë një problem fiktiv që e pat krijuar opozita për të çuar vendin në zgjedhje. Kjo temë ishte e ngarkuar emocionalisht dhe pas reagimit të popullit opozita atëherë e shfrytëzoi rastin për të etiketuar këtë marrëveshje si tradhti ndaj vendit”, ka përfunduar Basha.
Në anën tjetër, analisti Ramush Tahiri e sheh si vendim të duhur emërimin e Bulliqit në krye të Komisionit Shtetëror për Demarkacion.
“Emërimi i Shpejtim Bulliqit do të duhej të jetë vendim i mirë dhe i qëlluar i Kryeministrit Haradinaj se është profesor universitar dhe ekspert i lëmisë. Gjithashtu ishte kritikues dhe kundërshtar i versionit aktual të demarkacionit. Dhe nëse në punën e tij e dëshmon se kufiri nuk është shënuar drejtë por në dëm të Kosovës qoftë edhe për një metër qëllimi është i arritur”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, Bulliqi dhe Haradinaj janë në një mendje sa i përket marrëveshjes së demarkacionit. Kurse, ish- kryetari i komisionit për demarkacion, Murat Meha dhe kryeministri Haradinaj kanë pasur mosmarrëveshje gjatë Qeverisjes Mustafa.
Me ç’rast në një prej mbledhjeve të komisionit, Haradinaj ia ka përplasur në fytyrë hartën e shënjimit të kufijve, Mehës.