“Askush s’mund t’ia humbë meritat Hashim Thaçit”

“Askush s’mund t’ia humbë meritat Hashim Thaçit”

Ardian Arifaj, këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se ka ndjenja të përziera kur në Ditën e Presidentit nuk është i pranishëm ish-shefi i tij që ndodhet në paraburgim në Hagë, shkruan Insajderi.

Ai tha se beson që drejtësia do të do të ngadhënjejë dhe edhe ky kapitull do të mbyllet me kthimin e Thaçit në Kosovë.

“Është një ditë kur i kujtojmë të gjitha ato vlera se për çfarë jemi angazhuar dhe çfarë kemi ndërtuar gjithë këto vite si Kosovë. Sot na e kujton edhe presidentin ,Hashim Thaçi, mungesën e tij dhe nevojën që të jetë këtu dhe të njëjtën kohë besimin që e ka shprehur edhe vetë presidenti Thaçi se drejtësia do të ngadhënjejë dhe edhe ky kapitull do të mbyllet me sukses si të gjitha kapituj e tjerë dhe do të kthehet në Kosovë”, ka thënë Arifaj në “Info Magazine”të KK-së.

Ai deklaroi  se askush nuk mund ta mohojë kontributin e Hashim Thaçit për këtë vend, ani se presidentja Vjosa Osmani dhe paraardhësit e saj Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli nuk e përmendën sot gjatë aktiviteteve për Ditën e Presidentit.

“Secili e ka për vete. Nuk kam nevojë që t’i komentojë sjelljet e të tjerëve, por askush nuk mund ta mohojë kontributin e presidentit Thaçi dhe as kontributin e presidentit Rugova për çka kanë punuar, angazhuar dhe për çka janë sakrifikuar, sepse kjo më së miri shihet sot në institucionet që janë ndërtuar.Për kontributin e Hashim Thaçit nuk ka nevojë as të flitet, është historike dhe është i shkruar edhe në libra. Nuk i bën askush nder pse ia përmend emrin dhe askush nuk e zvogëlon emrin e tij pse nuk ia përmend emrin”, ka shtuar ish-këshilltari i Thaçit.

Më tej, tha se është padrejtësi e madhe që Hashim Thaçi nuk është këtu dhe që nuk është lejuar ta përfundojë detyrën e tij si President i Kosovës.

Sipas tij, kjo është padrejtësi jo vetëm ndaj presidentit Hashim Thaçi, por ndaj tërë Kosovë./Insajderi.com