Asnjë i infektuar me COVID-19 në Shtëpinë e Pleqve

Asnjë i infektuar me COVID-19 në Shtëpinë e Pleqve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, kanë vizituar Shtëpinë e pleqve në Prishtinë, njofton Insajderi.

Nga aty, njoftohet se askush nuk është i infektuar me COVID-19 në këtë vend, ndonëse mbi 50 persona rezidentë e staf mjekësor ishin infektuar më parë.

Hoti me këtë rast tha mbi 60 personave të vendosur në këtë shtëpi, po u ofrohen shërbime cilësore.

“Ne pamë bashkë edhe gjendjen brenda dhe në këto kushte që kemi besojmë që po ofrohet shërbimi më i mirë i mundshëm dhe mund të shfrytëzoj rastin që ta përgëzoj ministrin për menaxhimin e duhur edhe të këtij institucioni, por në veçanti të gjithë stafin këtu që kujdesen për këtë grupmoshë të veçantë të popullsisë”.

“Janë mbi 60 vetë të vendosur këtu dhe ju ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme. E mira është që nuk ka pasur asnjë viktimë fatmirësisht nga COVID-19”, Hoti.

Kurse ministri Reçica tha se po punojnë në përmirësimin e kushteve.

“Ia kemi dal dhe kemi kaluar me sukses ne kemi mbi 60 rezidentë që u ofrohen shërbime si në familje. Po fokusohemi në përmirësimin e kushteve”, deklaroi Reçica.

Krenar Reshitaj, mjek në Shtëpinë e Pleqve, tha se nuk kanë asnjë të infektuar më Covid, përderisa kanë qenë 50 persona me këtë virus që janë shëruar.

“Kemi pas 50 rezidentë me Covid, nuk kemi pas asnjë të vdekur. Tash kemi zero të infektuar tash”. /Insajderi.com