Asociacioni i Komunave: Ministrja Haxhiu po përdorë gjuhë kërcënuese ndaj Xhafer Tahirit

Asociacioni i Komunave: Ministrja Haxhiu po përdorë gjuhë kërcënuese ndaj Xhafer Tahirit

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar pas përplasjeve të fundit midis ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, njofton Insajderi.

Asociacioni e ka siguruar Haxhiun se secili kryetar i komunës, edhe Tahiri, është i gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe reagimin e vet si organizëm i të gjithë kryetarëve të komunave të Kosovës lidhur me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z. Xhafer Tahiri. Sigurojmë znj. Haxhiu që secili kryetar i Komunës, e edhe z. Xhafer Tahiri, si kryetar i Komunës së Vushtrrisë janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror, duke respektuar ligjin dhe ndarjen e kompetencave e përgjegjësive në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Më tej në reagim ky asociacion e ka ftuar Haxhiun t’i tërheqë “kërcënimet” ndaj kryetarit Tahiri.

“Sulmet në media ndaj kryetarëve të zgjedhur të komunave, pa i shterur të gjitha kanalet e brendshme të komunikimit zyrtar, janë të papranueshme dhe tentim për ushtrim të ndikimit. Prona publike dhe ruajtja e saj janë shqetësim i secilit kryetar komune në Kosovë, pasi këto prona janë jetike për zhvillim të projekteve kapitale në Komunë për interes të përgjithshëm. Ftojmë ministren Haxhiu të tërheqë kërcënimin publik ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, z.Tahiri”, përfundohet në reagim.

Ditë më parë Haxhiu dhe Tahiri janë përplasur në rrjetet sociale për pronën e ish-hotelit “Vicianum”, ku kompania paraprake të cilës i ishte shkëputur kontrata për shkelje ligjore ka filluar sërish punimet, ndërsa Haxhiu ka akuzuar Tahirin se nuk po e mbron pronën publike, duke mos i ndalur punimet në të. /Insajderi.com