Asociacioni i Komunave të Kosovës përkrahë gjendjen e jashtëzakonshme

Asociacioni i Komunave të Kosovës përkrahë gjendjen e jashtëzakonshme

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se ky asociacion do t’i përkrahë masat e reja anti-Covid, duke përfshirë këtu edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, njofton Insajderi.

Sipas Sazan Ibrahimit, në një prononcim për KlanKosva tha se, nëse gjendja e jashtëzakonshme shpallet, kjo nuk do të bëhet si në kohën e Millosheviqit.

“Gjendja e Jashtëzakonshme nëse shpallet, do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo Kushtetutë është hartuar duke u bazuar mbi parimet e shteteve demokratike. Asociacioni i Komunave të Kosovës i përkrah masat e reja anti-Covid. Çdo masë e cila dërgon në shpëtimin e jetëve të qytetarëve të Kosovës, përkrahet nga AKK – përfshirë edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Më pas Ibrahimi ka shtuar se AKK dhe kryetarët e komunave gjithmonë kanë vlerësuar që shëndeti publik është prioritet mbi prioritetet, por se duhet t’i kushtohet një kujdes i veçantë edhe shëndetit ekonomik.

“Ky qëndrim do të paraqitet edhe nesër në komitet. Ne nesër do ta kemi një mbledhje të komitetit për parandalimin e përhapjes së Covid-19, ku pritet të vendoset rreth veprimeve në të ardhmen. Gjendja e jashtëzakonshme bëhet në përputhje me parimet e Kushtetutës. Nuk është gjendja e jashtëzakonshme ashtu siç kanë dëgjuar qytetarët gjatë periudhës së Millosheviqit. Ne kemi shtet demokratik, e kemi Kushtetutën dhe gjatë diskutimit që patëm sot, u zotuan të gjitha palët se Kushtetuta është mbi çdo gjë”.

Ky hap i institucioneve të vendit vjen pasi ditëve të fundit numri i të infektuarve me Covid-19 është rritur ndjeshëm. /Insajderi.com