Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, në Komunën e Pejës të garojë pa kandidat për kryetar.
Astrit Ademaj i cili deri në javën që lamë pas ishte pretendenti i kësaj partie për të drejtuar komunën e Pejës, është i pazëvendësueshëm për subjektin, pas vdekjes së tij të mërkurën e 8 shtatorit.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi.com, zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, i cili tha se rrethanat e krijuara që patën përmasë tragjike dhe respekti ndaj zyrtarëve të vrarë, kanë bërë që dega në Pejë e kësaj partie të marrë vendim për të garuar vetëm me asamblistë.
“Për shkak të rrethanave që janë krijuar e që patën përmasë tragjike dhe për shkak të respektit ndaj zyrtarëve të PDK-së që pësuan në Pejë por edhe konsideratës ndaj familjeve të tyre, dega në Pejë, ka ardhur në përfundim që është e udhës që të shkojmë në këto zgjedhje vetëm me asamblistë”, ka thënë Abdullahu.
Të mërkurën e 8 shtatorit, dy zyrtarë të PDK-së mbetën të vdekur nga të shtënat me armë zjarri.
Bëhet fjalë për kandidatin e PDK-së për kryetar të Pejës në këto zgjedhje, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit në zgjedhjet e vitit 2017.
Gjithashtu i plagosur mbeti edhe vëllai i Astritit, Avniu i cili aktualisht gjendet në paraburgim prej 30 ditësh. /Insajderi.com