I dyshuari për vrasjen e të dashurës së tij, Dafina Zhubi është deklaruar lidhur me raportin e ekspertizës së kryer nga një institut në Zvicër. Ai ka thënë nëpërmjet avokatit të tij, se ish e dashura e tij ka kryer vetëvrasje.
Astrit Dibra ka mohuar se e ka vrarë Dafina Zhubin. I dyshuari për këtë vrasje ka thënë se e dashura e tij ka vrarë vetën, derisa ai ndodhej në dhomën e tjetër më 17 shkurt 2016.
Dibra ka reaguar nëpërmjet avokatit të tij, Mexhid Syla pas publikimit të shkrimit nga Insajderi bazuar në një ekspertizë të një eksperti zviceran i cili konstaton se e ndjera është vrarë e jo vetëvrarë.
Syla ka shprehur dyshime për konstatimet e ekspertizës së kryer në një institut të Zvicrës. Ka konsideruar se në shumë raste vetëvrasjesh, nuk janë gjetur gjurmë baruti në duar, e aq më pak pika gjaku.
Syla insiston se hetimet në këtë rast janë kryer në mënyrë profesionale dhe të pavarur duke u mbledhur të gjitha provat në vendin e ngjarjes. Ka përmendur se gjatë gjithë kohës në vendngjarje ka qenë i pranishëm prokurori Ilaz Beqiri.
“Në bazë të provave të cilat i ka siguruar Prokuroria në fazën e hetimeve, asnjëra prej tyre nuk vërteton as një fakt e as një rrethanë se Astrit Dibra e ka vra të ndjerën. Prandaj mendoj se me të drejt ka vepruar prokuroria, ku rastin e ka trajtuar apo ka dilema se ende nuk ka përfunduar rasti”, ka thënë Syla për Insajderin.
Krejt ndryshe mendon Instituti zviceran që ka konstatuar se Dafina Zhubi nuk ka kryer vetëvrasje, por është vrarë. Ekspertiza vë në dyshim konstatimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e cila vdekjen e Zhubit e cilësoi vetëvrasje.
Instituti i quajtur “Forensicons” e drejtuar prej prof. dr. Ulrich Zolinger ka nxjerr një raport prej gjashtë faqesh të bazuar në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, me anë të së cilit përjashton çdo mundësi që 35-vjeçarja ta ketë qëlluare vetën me armë në kokë.
Mes fakteve të shumta se Dafina Zhubi është vrarë argumenton se në duart e të ndjerës nuk janë gjetur grimca baruti e as pika gjaku që shkaktohen në secilin rast vetëvrasjeje.
Prokuroria e Prishtinës ndërkaq ka liruar të dyshuarin nga paraburgimi muaj më parë pasi prokurorja e rastit, Fitore Sadikaj erdhi në përfundim se e ndjera ka kryer vetëvrasje e jo vrasje. Këtë konstatim ajo e nxori me direktiva të shefit të saj, Imer Beka.
Avokati Syla ndërkaq ka thënë se rastet si ky vendosen në bazë të provave materiale dhe se prej fillimit vdekja e së ndjerës është hetuar si vetëvrasje.
“Janë siguruar të gjitha provat, prandaj çdo dilemë rreth asaj se a janë siguruar provat apo nuk janë siguruar, mendoj se është e pavend sepse e them me bindje të plot se asnjë provë nuk ka mundur t’i shpëtojë një ekipi të tërë të ekspertëve të cilët kanë qenë të përbërë prej të gjitha lamive”, ka deklaruar Syla.
Ai ka shprehur dilema rreth ekspertizës së kryer në Zvicër duke thënë se nuk e di kush e ka bërë, e as nga kush është porositur. Ka shprehur dilema po ashtu nëse kjo ekspertizë mund të pranohet si provë materiale në Procedurë.
Si argument tjetër kundër ekspertizës së Zvicrës përmend ekspertiza të kryera në Tiranë, Zagreb apo Bullgari të cilat në shumë raste vetëvrasjes kanë zbuluar se nuk janë gjetur grimca baruti në duart e viktimave.
“Janë me raste të tëra që janë konstatuar se nuk është e thënë që çdo herë grimcat apo mbetjet barotike të gjinden në dorë të personit që ka shtënë, dhe aq ma pak mbetjet apo gjurmët e gjakut sepse kjo varet prej shumë faktorëve”, ka thënë avokati Syla.
Ai ka thënë se në një rast që ai mbron një të akuzuar, Instituti i Zagrebit nuk ka gjetur grimca baruti në duart e të vdekurit. Për këtë arsye, sipas tij klienti i tij që pesë vjet është duke u gjykuar për vrasje, ani se siç thotë ai të gjitha provat dëshmojnë të kundërtën.
“Kështu që në bazë të asaj nuk mund të thuhet se kemi të bëjmë me vetëvrasje apo vrasje siç ka konstatuar ajo ekspertizë”, ka thënë Syla.
Syla thotë se edhe nëse nuk konstatohet vetëvrasja e Dafina Zhubit, në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, i dyshuari nuk është i obliguar ta dëshmojë pafajësinë e tij. Në këtë rast siç thotë ai, nëse nuk ka prova që Astri Dibra e ka kryer vrasjen, atëherë nuk mund të ngritët aktakuzë kundër tij.
“Nuk ka asnjë provë kundër Astrit Dibrës. Nuk janë gjetur asnjë gjurmë barotike në dorën e tij, nuk janë gjetur gjurmë gjaku, nuk janë gjetur shenjat e gishtave apo shenjave e gishtave as shenjat e gjurmëve të kapilarëve të tij në revolen, nuk ka asnjë dëshmitar që e ngarkon, as nëna e të ndjerës nuk shprehet me asnjë fjalë se ka dyshim se Astriti e ka vra të ndjerën, prandaj nuk mund të ketë akuzë kundër tij”, ka thënë Syla.
Syla, mohon po ashtu se klienti i tij është larguar nga Kosova. Thotë se ai lajmërohet cdo të hënë në stacion të Policisë./Insajderi.com
(Tekstit i ka kontribuuar Drenusha Canolli)
Ndikimi i kryeprokurorit që vdekja e dyshimtë të cilësohet vetëvrasje e jo vrasje