Atdheu im është populli

Fiumr (Rijekë), Beograd, Budapest, Pressburg (Bratislavë), Vjenë, Munchen (1929). Një ese mbi atdheun.

Atdheu im është populli

Më pyesin për atdheun tim, unë përgjigjem: jam lindur në Fiume (Rijekë), jam rritur në Beograd, Budapest, Pressburg (Bratisllavë), Vjenë dhe München dhe kam pasaportë hungareze – por: “atdhe”? S’njoh. Jam një përzierje tipike e vjetër austriake-hungareze: hungareze, kroate, gjermane, çeke – emri im është hungarez, gjuha amtare gjermane. Më së miri flas gjermanisht, tashmë shkruaj vetëm gjermanisht, pra i takoj qarkut kulturor gjerman, popullit gjerman. Megjithatë: nocioni “atdhe”, i falsifikuar nga nacionalizmi, për mua është i huaj. Atdheu im është populli.

Pra, siç e thashë: s’kam atdhe dhe nuk vuaj për këtë, por gëzohem që jam pa atdhe, sepse kjo më çliron nga një sentimentalizëm i panevojshëm. Natyrisht njoh treva, qytete dhe dhoma, ku ndihem në shtëpi, kam edhe kujtime fëmijërie dhe i dua ato si çdokush tjetër.

Të mirat dhe të këqijat. I shoh rrugët dhe sheshet në qytetet e ndryshme, në të cilat kam lozur, apo nëpër të cilat kam shkuar në shkollë, e njoh hekurudhën, kodrinat për saja, malet, kishat, ku më detyronin të pranoj korbin e shenjtë të Krishtit – më kujtohet edhe dashuria e parë: ishte gjatë luftës botërore në një rrugicë të qetë, aty, në Budapest, më mori një grua në banesën e saj katërdhomëshe, muzgu ra tashmë, gruaja nuk ishte prostitutë, por burri i saj ishte në fushëbetejë, besoj në Galici, dhe ajo dëshironte që dikush ta donte përsëri.

Gjenerata ime, e cila gjatë motit të madh hyri në moshën e djalërisë, e njeh Austro-Hungarinë e vjetër vetëm nga thashethemet, atë Monarki të dyfishtë të paraluftës, me dy duzina kombesh, me patriotizëm lokal shumë mendje ngushtë krahas vetëironisë dëshpëruese, me kulturën e saj të lashtë, me analfabetët e saj, me feudalizmin e saj absolutist, me romantikën e saj listin e, me etiketë spanjolle dhe zvetënim të rehatshëm.

Siç dihet gjenerata ime është shumë dyshuese dhe ia mbush mendjen vetes se nuk ka iluzione. Sidoqoftë ajo ka më pak se ajo gjeneratë që na ka çuar drejt kohëve madhështore. Jemi në gjendje të lumtur pasi që mund të besojmë se mund të jetojmë pa iluzione.

Dhe ky, me gjasë, mund të jetë iluzioni ynë i vetëm. Nuk derdh asnjë lot për Austro-Hungarinë e vjetër. Çka është e kalbur, le të shkatërrohet, edhe unë po të isha i kalbur, do të shkatërrohesha vetë, dhe besoj se asnjë lot s’do derdhja për veten.

Nganjëherë më duket se gjithçka që kam parë para luftës është shlyer nga kujtesa ime. Jeta ime fillon me shpalljen e luftës. Pata fat kur vërejta se zhdukja e krimeve nacionaliste do të bëhet e mundshme vetëm përmes rishtresëzimit të plotë të shoqërisë. Ky është besimi im. Mos qeshni! Nëse ajo që arrijmë të njohim shpesh formulohet si parullë, nuk domethënë se humb diçka nga e vërteta e saj. Çka kërkohet është luftimi i nacionalizmit për të mirën e njerëzimit.

Besoj se ia kam dalë që përmes hekurudhës sime kodrinore të dëshmoj se edhe një “njeri që s’është i vendit”, që nuk është “i popullit”, një përzierje racash pa atdhe, mund të krijojë diçka “vendore-popullore”, – sepse zemra e popujve rrah me takt të njëjtë, ekzistojnë vetëm dialektet si kufi.