Agjencia Tatimore e Kosovës njofton se ka zhvilluar aplikacionin dhe të punësuarit mund të parashtrojnë kërkesa për të përfituar nga tri masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Siç bëhet e ditur në njoftim, qytetarët mund të aplikojnë tash në faqen e ATK-së për masën: 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar dhe 1.3 Mbështetja e punësimit të grave.
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë të punësuarit e rinj, të cilët janë të deklaruar në ATK nga muaji korrik 2021 e tutje.
“Pra, përmes ueb-faqes së ATK-së, të punësuarit kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga masat e Pakos së e Ringjalljes Ekonomike, si:
Masa 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë – Mbështetje për tre (3) muaj nga njëqind euro (100€); Masa 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar – Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50€); Masa 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave – Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50€);
Aplikimi është i hapur nga sot dhe deri më 15 tetor 2021 në ora 24:00. Aplikacioni “Pako e Ringjalljes Ekonomike – Kërkesë për subvencionim të pagës” është në dispozicion të tatimpaguesve, gjegjësisht të punësuarve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org – tek linku Shërbimet elektronike”, thuhet në komunikatën për media./Insajderi.com