ATK nuk komenton arrestimin e zyrtares për përfshirjen në sallonet e masazheve

ATK nuk komenton arrestimin e zyrtares për përfshirjen në sallonet e masazheve

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), nuk ka dashur të komentojnë arrestimin e zyrtares së saj, pasi u kap nga Policia e Kosovës së bashku me tre persona tjerë, gjatë një aksioni për sallonet e dyshuara të masazheve.

Valentina Bytyqi – Sefa, zëdhënëse e ATK-së ka thënë për Gazetën Insajderi, se kjo ka të bëjë me privatësinë dhe është jashtë ATK-së.

“Nuk kam të drejtë që të tregojë, nuk kam drejtë përderisa është jashtë ATK-së,  nuk guxon me keqpërdor detyrën zyrtare për këtë arsye është krejt private, përderisa policia nuk e konfirmon nuk kam drejtë me fol”, ka thënë Bytyqi.

Ndërsa sot Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona gjatë një aksionin në ‘Sallone masazhi’ në Prishtinë.

Sipas njoftimi të policisë në mesin e të arrestuarve është edhe një zyrtare e ATK-së me inicialet L.L.

“Personi i dyshuar (L.L.) zyrtare në ATK-ë, dyshohet se në vazhdimësi duke keqpërdorur autoritetin zyrtar, me qellim të përfitimit ka ndihmuar të dyshuarit tjerë në kryerjen e veprave penale dhe po ashtu dyshohet se  ka kryer edhe veprën ‘Ushtrim i ndikimit’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personat e dyshuar janë arrestuar nën dyshim për  përfshirje në veprat penale: ‘Ofrimi i lokaleve për prostitucion’, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Ushtrim i ndikimi’, ‘Mbajtja në pronësi kontroll apo posedim i armës’ dhe ‘Bashkëkryerja’.

Policia si prova materiale ka konfiskuar: 1 arme zjarri me një karikator dhe dy fishekë të njëjtës armë, 6 (gjashtë) telefona mobil, para në vlere 820 euro dhe 20 franga  (tetëqind e njëzet euro dhe njëzet franga) dhe dokumente të ndryshme

Të dyshuarit me  aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Insajderi.com