ATK reagon pas arrestimit të zyrtarit të saj: Nuk kemi informacion zyrtar

ATK reagon pas arrestimit të zyrtarit të saj: Nuk kemi informacion zyrtar

Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë se nuk kanë pranuar ende asnjë informacion zyrtar për arrestimin e një zyrtari i të saj në Komunën e Gjilanit, përcjell Insajderi.

Ndonëse policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se zyrtari i arrestuar dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nga ATK-ja janë shprehur se nuk janë informuar nga institucionet e zbatimit të ligjit në vend.

Përmes një komunikate për medie, nga ATK-ja kanë thënë se drejtori i saj në Gjilan, Alban Qerimi është në vendin e tij në punës.

“Bazuar në informacionet e publikuara në media, Administrata Tatimore e Kosovës njofton opinionin publik se Drejtori Regjional i ATK-së në Gjilan z.Alban Qerimi është në vendin e tij të punës, sipas përgjegjësive që ka.

Si institucion ende nuk kemi pranuar asnjë informacion zyrtare nga institucionet e zbatimit të ligjit, në momentin që do të jemi të njoftuar zyrtarisht do të ju informojmë në kohë. ATK siguron opinionin publik se pas njoftimit zyrtar nga organet përkatëse, do të ndërmarr të gjitha veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e ATK-së”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, policia të enjten ka bërë të ditur se arrestimi i zyrtarit të ATK-së është bërë të mërkurën, ndërsa për keqpërdorim të detyrës kanë qenë dy të dyshuar, por njëri nga ta është liruar.

Po ashtu, policia ka njoftuar se gjatë bastisjes në shtëpitë dhe zyrat e punës së tyre, janë sekuestruar para të gatshme, telefona, dokumente zyrtare e gjësende të tjera./Insajderi.com