Autonomia e UP-së në rrezik

Autonomia e UP-së në rrezik

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) ka shprehur shqetësimin në lidhje me, siç thotë, ndërhyrjet e javëve të fundit në autonominë akademike të Universitetit të Prishtinës (UP) nga institucione të ndryshme shtetërore, si Inspektorati i Punës, Inspektorati i Arsimit, madje edhe Policia e Kosovës.

KITU nuk e përjashton mundësinë që veprimet e ndërmarra nga këto organe, në të shumtën e rasteve, të jenë bërë brenda kornizës ligjore dhe sipas funksionit të institucioneve të lartpërmendura.

“Mirëpo, informacionet që KITU ka marrë tregojnë për disa raste të presionit politik e institucional mbi menaxhmentin e UP-së. Rast i paprecedent është intervistimi i anëtarëve të Këshillit të Doktoratës të UP-së nga hetues të Policisë së Kosovës, pasi Senati me rekomandim të Këshillit të Doktoratave ka ndërprerë studimet e doktoratës për një zyrtar shtetëror”, thuhet në reagimin e KITU-së.

KITU e dënon çfarëdo keqpërdorimi të autoritetit institucional e politik me qëllim të ushtrimit të ndikimit në proceset akademike të UP-së. KITU i bën thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj, ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim Ismajl Kurteshi, që të ushtrojnë autoritetin e tyre për t’i ndalë presionet e institucioneve shtetërore dhe zyrtarëve të tyre ndaj UP-së.

“Autonomia akademike është kushti themelor për funksionimin normal të UP-së, prandaj nuk guxon të cenohet për asnjë interes privat të asnjë zyrtari shtetëror apo të afërmve të tyre”, përfundon reagimin e tij KITU.