Autoritetet kosovare dënojnë dhunën në Kuvendin e Maqedonisë

Autoritetet kosovare dënojnë dhunën në Kuvendin e Maqedonisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se po e përcjell me shqetësim situatën e krijuar në Maqedoni.

Përmes një komunikate për media, MPJ ka thënë se sjelljet e këtilla të dhunës dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni janë të papranueshme dhe aspak nuk i shërbejnë demokracisë, paqes dhe stabilitetit në shtetin fqinj të Maqedonisë.

“Në frymën e apelit të vendeve të BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni, ne besojmë se të gjithë aktorët politikë do të tregojnë vullnet për të dialoguar për interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo retorikë që përshkallëzon situatën e tensionuar”, thuhet në komunikatë.

“Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar dhe qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vazhdimin e procesit të funksionalizimit të institucioneve në rrugë demokratike”, thuhet në komunikatë

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se është në interesin e te gjithë popujve në rajon që të ruhet stabiliteti si dhe që krizat të zgjidhen me mjete politike.

“Jam i shqetësuar me zhvillimet e orëve të fundit në Maqedoni, te cilat po i përcjellim me vëmendje të shtuar. Maqedonia është një shtet mik, qe e ka pranuar pavarësinë e Kosoves. I bejme thirrje faktorit politik qe te ruaj paqen dhe stabilitetin” ka thënë ai.