Autoriteteve shëndetësore u bëhet thirrje që brenda ditës të vaksinohen 20 mijë qytetarë

Autoriteteve shëndetësore u bëhet thirrje që brenda ditës të vaksinohen 20 mijë qytetarë

Për t’u përmbushur premtimi i dhënë nga Qeveria Kurti II që deri në fund të vitit do të vaksinohen kundër Coronavirusit rreth 60 për qind e popullsise, autoriteteve shëndetësore u është kërkuar që të përshpejtojnë ritmin e procesit.

Blerim Syla nga Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë, thotë se autoritetet duhet të krijojnë mundësi që brenda ditës, në nivel vendi të vaksinohen deri në 20 mijë qytetarë.

“Ritmi i tanishëm i imunizimit është në kuadër të dozave aktuale të vaksinave në vend. Në momentin që ka sasi të dozave më të mëdha të vaksinave, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të zgjerojnë kapacitetet, të shtyjnë në funksion të gjitha Qendrat e Mjekësive Familjare në mënyrë që të arrijnë të japin 20 mijë vaksina brenda ditës.

Rreth 20 mijë doza është shumë ideale dhe është e mundshme, me potencialin që ka Kosova, por normalisht se nevojitet një organizim pak më i mirë”, pohon Syla për REL-in.

Zyrtarë të Ministrisë se Shëndetësisë, të premten kanë treguar se kanë arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer, për sigurimin e mbi 1.2 milion dozave të vaksinave kundër COVID-19.

Procesi i vaksinimit kundër COVID-19, në Kosovë ka nisur dy muaj më parë, ndërkaq deri më 29.05. 2021 janë vaksinuar mbi 63 mijë qytetarë, ose mbi një mijë qytetarë brenda një dite.

Kosova deri tani ka pranuar mbi 177 mijë doza vaksinash, si donacion nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për dhurimin e vaksinave në vendet e varfra, apo Bashkimi Evropian./Insajderi.com