Autoriteti i Konkurrencës fillon nesër procedurat ndaj KEDS dhe KESCO

Autoriteti i Konkurrencës fillon nesër procedurat ndaj KEDS dhe KESCO

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të nisë zyrtarisht procedurat për hetimin ndaj ndërmarrjeve KEDS dhe KESKO të cilat operojnë në tregun e energjisë elektrike, gjatë të premtes së 4 dhjetorit, transmeton Insajderi.

Dyshimet e Autoritetit të Konkurrencës, të cilat janë ngritur pas shqyrtimit paraprak, janë se këto ndërmarrje kanë shkelur nenet 4 dhe 11 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, raporton Klan Kosova.

Siç njoftohet, dyshohet se këto ndërmarrje kanë bërë marrëveshje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar dhe kanë abuzuar me pozitën dominuese.

Raportohet se KEDS kishte kushtëzuar investitorët, që ku është bërë investimi i trafostacionit, përveç pajisjeve por edhe pronën ku gjendet trafostacioni të bartet në pronësi të KEDS-it, në të kundërtën nuk ua lëshon rrymën.

Autoriteti i Konkurrencës pritet të mbajë të premten një konferencë për media ku siç merret vesh edhe zyrtarisht do të kërkohet përfshirja e Prokurorisë Speciale për t’i hetuar këto dyshime.

Ditë më parë kreu i AKK-së, në rrjetet sociale kishte kërkuar ndihmën e Prokurorisë Speciale për të hetuar një rast, mirëpo nuk kishte dhënë detaje të tjera. /Insajderi.com