Autostrada Shkup-Bllacë, përfundon në 2022

Autostrada Shkup-Bllacë, përfundon në 2022

Punimet në rrugën nga kryeqyteti I Maqedonisë së veriut Shkupi e deri në vendkalimin me Kosovën në Bllacë e që do të lidhet me autostradën Arbën Xhaferi, vazhdojnë të mbesin në fazën përgatitore.

Ekskavatori i parë në një pjesë të terrenit ku duhet të ndërtohet kjo autostradë u shfaq rreth tre muaj më parë.Në janar autoritetet premtuan se do të fillojë ndërtimi i autostradës. Mirëpo nga shtatori po ashtu autoritetet, thanë se janë duke punuar në përgatitjen e terrenit për të filluar ndërtimet.

Dhe sot pas 10 muajsh, prej kur u bënë premtimet e para, ende po shihet se po punohet në përgatitjen e terrenit.Nga ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore” të Maqedonisë së veriut thonë se gjithçka po zhvillohet sipas planit dhe marrëveshjeve për ndërtimin e rrugës.

“Punët kanë filluar më 27.07.2020, ndërsa afati është 18 muaj nga fillimi i punës. Duke marrë parasysh atë që ndërtimi deri në këtë moment rrjedh në pajtueshmëri me marrëveshjet dhe dinamikën, presim që faza e parë të mbarojë në suaza të periudhës kohore të parashikuar me Marrëveshjen, duke e marrë parasysh, gjithsesi edhe situatën ekzistuese me virusin koronavirusi”, thonë nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore.

Faza e parë e autostradës Shkup-Bllacë, e cila është dy kilometra, duhet të përfundojë në dhjetor të vitit 2021.

Ministri i Transportit dhe lidhjeve I Maqedonisë së veriut Bllagoj Boçvarski, gjatë qëndrimit në Kosovë kishte deklaruar se kanë hasur në disa probleme në një pjesë të vendit ku duhet të kalojë Autostradës Shkup-Bllacë, por përsëri premtoi se autostrada do të jetë gati deri në fund të vitit 2022. /Insajderi.com