AUV asgjësoi 400 mijë kilogramë produkte ushqimore gjatë pandemisë

AUV asgjësoi 400 mijë kilogramë produkte ushqimore gjatë pandemisë

Rreth 400 mijë kilogramë produkte të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum, janë asgjësuar vetëm gjatë pandemisë me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i cili shtoi se fokusi kryesor sa i përket shëndetit publik është ruajtja e sigurisë ushqimore, duke shtuar se kontrolli kufitar zbatohet 100%.

“Pa marrë parasysh çfarëdo situate që mund t’i vijë vendit tonë edhe kjo e pandemisë autoriteti jonë ka mandatin kryesor shëndetin publik ku hynë ruajtja e sigurisë ushqimore e shëndetit të kafshëve dhe të bimëve. Në çfarëdo situate që mund të gjendemi sigurinë ushqimore nuk mund ta lëmë anash në asnjë minutë. Gjatë gjithë kohës produktet ushqimore në Kosovë i kemi kontrolluar dhe kanë qenë të nivelit të sigurt. Kontrolli në kufi ka vazhduar në masën 100%”, deklaroi Thaçi për EO.

“Vetëm kemi pasur një zhvendosje të inspektoratit sanitar, frekuenca e kontrollit ka qenë më e ulët në markete dhe janë zhvendosur Inspektorët sanitar në teren duke kontrolluar sigurinë ushqimore. Ne edhe gjatë pandemisë kemi larguar produkte nga tregu dhe kemi konfiskuar vetëm që produktet të dyshimtë mos të lejojmë që të dalë në treg. Edhe gjatë kësaj kohe ne kemi pasur rreth 400 mijë kilogramë produkte të asgjësuara të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum. Përveç kontrollit tonë të vazhdueshëm që kemi në teren ne bazohemi edhe nga lajmërimet që na vijnë nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe çfarëdo forme që na vije lajmërimi produkti largohet nga tregu”, ka shtuar tutje ai. /Insajderi.com