Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka njoftuar se kapacitetet në menaxhimin e cilësisë së ushqimit dhe veterinarisë janë rritur dhe tani ka inspektor të mjaftueshme ta menaxhojmë mbikëqyrjen e nxjerrjes së masave nga qeveria, transmeton Insajderi.
Ai tutje u shpreh se pandemia ka qenë një sfidë shumë e madhe për AUV-in, sepse ka qenë i vetmi autoritet që ka pasur mandat ligjor apo mundësi ligjore për shqiptimin e masave ndëshkimore ndaj secilit shkelës të vendimeve.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka qenë e kyçur në marrjen e veprimeve konform mandatit ligjor që ka. Kemi filluar me disa ndalesa në produkte ushqimore derisa nuk është ditur saktë përhapja e pandemisë. Pastaj ne jemi përgatitur për mbikëqyrjen e masave pas vendimeve që ka nxjerrë qeveria përmes inspektoratit sanitar”, ka thënë ai.
“Deri në nxjerrje të ligjit të ri anti-Covid, AUV përmes inspektoratit sanitarë ka qenë i vetmi autoritet që ka pasur mandate ligjor apo mundësi ligjore për shqiptimin e masave ndëshkimore ndaj secilit shkelës të vendimeve dhe ne kemi punuar me të gjithë mekanizmat tjerë shtetëror siç janë inspektoratet qendrore të cilat kanë asistuar inspektoratin tonë në kohën kur ne kemi pasur numër të kufizuar. Pastaj me ardhjen e qeverisë së tanishme është parë e nevojshme të rrisim kapacitet në inspektor dhe janë në teren nga dita e parë e tyre e punës, dhe tani kemi kapacitete të mjaftueshme ta menaxhojmë mbikëqyrjen e nxjerrjes së masave nga qeveria”, shtoi tutje Thaçi. /Insajderi.com