Avdullah Hoti fillon fushatën elektorale nga Facebook-u

Avdullah Hoti fillon fushatën elektorale nga Facebook-u

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se Kosova shumë shpejt do të bëhet me qeveri të re.

Këtë deklaratë, Hoti e bëri në një status të tij në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera ka shkruar se “qeveria e re do të jetë një qeveri normale, me njerëz kompetentë e atdhetarë që respektojnë ligjin, e që ruajnë miqësitë”.

Sipas tij, “qeveria e PAN-it është qeveri e zhvatjes së buxhetit, e izolimit të lidershipit të Kosovës, e dështimit të diplomacisë dhe çnjohjeve për shtetin e Kosovës, e ministrave me aktakuza, etj”.

“Kosova shpejt bëhet me qeveri të re, e cila mbi të gjitha do të jetë qeveri normale, pro-evropiane, që forcon miqësinë me SHBA-të, që tregon pjekuri politike, që respekton rendin kushtetues të Kosovës dhe parimin e ndarjes së pushteteve, që është e përgjegjshme karshi Kuvendit që e ka zgjedhur”, ka deklaruar ai.

Hoti më tej ka thënë se qeveria e re në fillim duhet t’i sanojë dëmet që i ka lënë prapa qeveria e PAN-it. Ka thënë se ka qenë qeveri e kaosit, zhvatjes së buxhetit, izolimit, çnjohjeve për shtetin.

“Në fillim domosdo duhet sanuar dëmet që po i lë prapa qeveria e PAN-it, një qeveri e kaosit, e zhvatjes së buxhetit, e izolimit të lidershipit të Kosovës, e dështimit të diplomacisë dhe çnjohjeve për shtetin e Kosovës, e ministrave me aktakuza, e takimeve me njerëz të krimit, që urdhëron e kërcënon prokurorë, që i refuzohet visa nga vendi më mik i Kosovës, që ndan buxhet për frizere e roleta, që shpërdoron buxhetin në përvjetore të pavarësisë e në projekte të ndryshme, që merr vendime vetëm për interesa ekonomike të këshilltarëve të vetë, që ja dyfishon pagën vetes, që ndan pronën publike e nacionalizon pronën private kundërligjshëm, qeveri me pesë ‘kryeministra’, 21 ministra, 80 zëvendësministra, me qindra këshilltarë e me koordinatorë nacional”, ka shkruar Hoti.

Më tutje Hoti ka përmendur disa prej reformave që sipas tij shteti i Kosovës ka nevojë.