
Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti është entuziazmuar nga protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Hoti ka thënë se tashmë ideja për shkëmbim territore të iniciuar nga presidenti Hashim Thaci, kanë marrë fund.
“Aventurat për të bërë pazar me territor kanë marrë fund. Kot janë krekosjet me skafe, përkrah njerëzve të organeve të sigurimit. As në këtë përbërje të Kuvendit, e aq më pak në përbërjen e re të tij, pazaret personale për territore nuk kalojnë”, theksoi Hoti në një postim në Facebook, raporton Koha.net.
Ai thotë se tani është koha që procesi të vihet në binarë normalë dhe, sipas tij, “duhen zgjedhje të reja, të cilat nxjerrin qeveri legjitime, e cila përfaqëson interesat e Kosovës në bisedimet e Brukselit”.
“Vetëm kështu marrëveshja do të jetë në favor të Kosovës dhe të ardhmes së saj euro-atlantike.
Kuvendi duhet të mblidhet dhe ta shpërbëjë veten sa më parë”, u shpreh Hoti.