Avdullah Hoti i reagon Kadri Veselit pas akuzave për Asociacionin

Avdullah Hoti i reagon Kadri Veselit pas akuzave për Asociacionin

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pas thirrjes që Veseli e pati ndaj kësaj partie, për t’u tërhequr nga nënshkrimi i Isa Mustafës për Asociacionin.

Kryeparlamentari Veseli dy ditë më herët kishte thënë se ishte Isa Mustafa ai që e kishte nënshkruar marrëveshjen për bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

“Asociacionin e ka nënshkruar LDK-ja, e ka nënshkruar ish kryeministri i Kosovës, tash kryetar i LDK-së, Isa Mustafa. Në qoftë se do të duhej seancë, atëherë LDK-ja do të duhej të distancohej nga ai nënshkrim”, kishte thënë kryetari i PDK-së.

Por në kundërpërgjigjen e Avdullah Hotit, thuhet se “Mustafa e ka nxjerrë nga Bataku Thaçin me nënshkrimin e kësaj marrëveshje”.

Në një postim në rrjetin social facebook, Hoti shkruan se detyrimin për themelimin e Asociacionit e ka marrë presidenti Thaçi.

“Asociacioni është krijuar me Marrëveshjen e vitit 2013, e cila është ratifikuar në Kuvend. Ndërkaq, marrëveshja e vitit 2015 është teknike, që e implementon detyrimin ndërkombëtar të Kosovës nga Marrëveshja e vitit 2013. Këtë e ka thënë Gjykata Kushtetuese në paragrafin II të Aktgjykimit KO-130/15 të datës 23 dhjetor 2015. Kështu që, detyrimin për themelim të Asociacionit e ka marrë vetë Z.Thaçi me Marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend në vitin 2013 dhe këtë e konstaton Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar në facebook shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Sipas Hotit, qeveria Mustafa aso kohe ishte përkujdesur që marrëveshja të ishte në përputhje me Kushteutën e Kosovën.

Ai akuzon qeverinë Haradinaj se këtë temë nuk po ka guxim fare ta trajtojë.

“Me marrëveshjen e vitit 2015, Qeveria Mustafa e ka nxjerrë nga bataku PDK-në dhe Z.Thaçi, ku ishin futur në vitin 2013. Qeveria Mustafa është kujdesur që çdo pikë të marrëveshjes të vitit 2015 të ketë referim tek Kushtetuta e Kosovës, që siguron se ky asociacion mund të formohet vetëm sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës . Ndërkaq, qeveria aktuale nuk ka guxim të trajtojë fare këtë çështje dhe, si rezultat i kësaj, drafti i statutit të asociacionit është dërguar në Bruksel duke e anashkaluar Qeverinë e Kosovës”, përfundon postimi i Hotit në facebook.

Pikërisht sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Hoti tha se “PDK-së i ka humbur rruga në oborr”. /Insajderi.com