Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili zgjodhi kryeqytetin shqiptar për vizitën e tij të parë zyrtare. Hoti u nderua edhe çmimin “Çelësi i Tiranës”.
Në 100-vjetorin e dytë të shpalljes kryeqytet i Shqipërisë, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i dha kryeministrit të Kosovës “Çelësin e qytetit”, si simbol i një dere e cila gjithmonë do të jetë e hapur për shqiptarët e Kosovës, njofton Insajderi.
Veliaj: Ky çelës, simboli i një dere të hapur i Tiranës
Në këtë ceremoni të dhënies së çmimit, Veliaj tha se Tirana do të jetë derë e hapur për të gjitha kategoritë shoqërore, e me theks të veçantë për të rinjtë e të dyja vendeve të cilët në të ardhmen duhet të bashkëpunojnë më tepër dhe të ketë shkëmbime të ndërsjella.
“Teksa futemi në 100-vjetorin e dytë të Tiranës kryeqytet, besoj se ajo do të jetë edhe më e hapur për biznes, për të rinjtë dhe ata që e shohin si shtëpinë e tyre të dytë. Jam i lumtur që folëm me kryeministrin për mundësitë e të rinjve dhe do të doja shumë që Karta e Studentëve të Shqipërisë të vlejë në Kosovë. Ne jemi shumë të gatshëm që kartat e studentëve kosovarë të vlejnë në Tiranë dhe të përfitojnë nga këto lehtësira. Në emër të gjithë qytetit të Tiranës, të Këshillit Bashkiak, të stafit tonë, dua t’ju dhuroj Çelësin e qytetit”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, falënderoi kryebashkiakun Veliaj për këtë nderim dhe shprehu vlerësimet për punën e tij në mirëmenaxhimin e qytetit të Tiranës.
“Jam vërtet i nderuar në 100-vjetorin e Tiranës edhe si dikush që ka punuar në pushtetin lokal ju kam zili për pasionin që keni për punën. Ju uroj çdo të mirë edhe sukses”.
Në këtë takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, e veçanërisht atë për Portin e Durrësit./Insajderi.com