Avdyli i kundërpërgjigjet Mustafës, thotë se ai s’mund ta përjashtojë nga LDK-ja

Avdyli i kundërpërgjigjet Mustafës, thotë se ai s’mund ta përjashtojë nga LDK-ja

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar ditë më parë se deputetin Haxhi Avdyli nuk e konsideron më pjesë të partisë që përfaqëson, njofton Insajderi.

Kësaj deklarate të Mustafës i është përgjigjur deputeti Avdyli, i cili ka thënë se atë mund ta largojë nga partia vetëm qytetari votues.

“Komentet e mija lidhur me deklaratën e Isa Mustafës unë i kam dhënë edhe më herët. Unë formalisht jam akoma deputet i LDK-së”.

“Momentin e duhur do ta shprehi mendimin  edhe rreth kësaj çështje por mendoj që mua dhe shumë të tjerë që mendojmë pak më ndryshe se Isa Mustafa mund të na përjashtojë vetëm qytetari dhe votuesi jonë”, është shprehur Avdyli për EO.

Avdyli poashtu ka thënë se së shpejti do të dal me një qëndrim lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti që e ka paralajmëruar Lëvizja Vetëvendosje.

“Akoma nuk e kemi diskutuar çështjen e mocionit as me Vetëvendosjen as me deputetët e tjerë. Momentin që do ta diskutojmë atëherë unë do ta marr një vendim dhe do të dal me qëndrim të qartë para kësaj seance”, është shprehur tutje Avdyli. /Insajderi.com