Avokat pa pagesë për policët që morën pjesë në arrestimin e Gjuriqit

Avokat pa pagesë për policët që morën pjesë në arrestimin e Gjuriqit

Avokati Musa Damati ka reaguar menjëherë pas ankesës së zëvendës ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Milan Radojeviq në Inspektoratin Policor, për të nisur hetimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët kishin marr pjesë në arrestimin e drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Ai gjatë një prononcimi për KosovaPress, ka bërë të ditur se çdo zyrtar i Policisë së Kosovës që ka marrë pjesë në ndërhyrjen dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, dhe të cilit i iniciohet ndonjë procedurë ligjore kundër tij, mund të përfitojë shërbime profesionale ligjore pa pagesë nga zyra e tij.

“Zyrtarët policorë, të cilët kanë marrë pjesë në mënyrë aktive me rastin e zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës me ndërhyrjen dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, mund të përfitojnë në bazë të Ligjit në fuqi, shërbime profesionale pa pagesë të njohura si pro bono nga zyra ime e avokaturës, në rast se kundër tyre fillojnë dhe zhvillohen procedura të mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë Damati.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Arbër Beka, tha se IPK-ja ka pranuar një ankesë lidhur me këtë rast, e cila fillimisht është trajtuar në Departamentin për menaxhimin e ankesave e pastaj në Departamentin e hetimeve.

“Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë disa veprime hetimore lidhur me këtë rast dhe kanë dërguar një raport njoftues te Prokuroria Themelore në Mitrovicë”, tha Beka për KosovaPress.

KosovaPress ka provuar të kontaktojë sot gjatë ditës edhe me Prokurorinë në Mitrovicë në lidhje me këtë çështje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.