Avokatët pretendojnë se Specialja ua ka shkelur të drejtat kushtetuese Thaçit dhe Veselit

Avokatët pretendojnë se Specialja ua ka shkelur të drejtat kushtetuese Thaçit dhe Veselit

Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, kanë apeluar vendimin e gjyqtarit paraprak mbi mocionet e tyre, me anë të së cilave pretendonin shkelje të disa të drejtave kushtetuese të të akuzuarve.

Gjithashtu, mbrojtja e Thaçit ka apeluar edhe vendimin mbi mocionin e tyre për ligjshmërinë e Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Në shkresën e mbrojtjes së Veselit thuhet se mbrojtja e trajton çështjen duke iu referuar arsyeve të mëposhtme të apelit.

“Arsyeja 1 – Në përcaktimin se Dhomat e Specializuara të Kosovës ishte e ligjshme për qëllimet e nenit 103 (7) të Kushtetutës së Kosovës gjyqtari i procedurës paraprake dështoi të merrte në konsideratë cilësinë e ligjit me të cilin u krijua, në veçanti masat mbrojtëse që ai ofron kundër arbitraritetit; më tej dhe në çdo rast”, thuhet aty.

Tutje, si arsye e dytë është ajo nëse me rastin e përcaktimit të ligjshmërisë së Dhomave të Specializuara për qëllimet e nenit 103(7) të Kushtetutës, gjyqtari i procedurës paraprake bëri gabim duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO26/15;3 më tej dhe në çdo rast.

“Gjyqtari i procedurës paraprake: (a) ka shkelur detyrën e tij për të garantuar drejtësi në procedurë duke mos adresuar parashtresat e Mbrojtjes në këtë drejtim; dhe (b) ka gabuar duke mos i dhënë peshën e duhur (ose ndonjë) këtij faktori shumë të rëndësishëm gjatë përcaktimit të ligjshmërisë së Dhomave të Specializuara për qëllimet e Nenit 103(7)”, thuhet në shkresën e mbrojtjes së Veselit.

Ndërkaq, mbrojtja e Thaçit apelimin e ka bërë për çështjet për të cilat i është dhënë leje nga gjyqtari i procedurës paraprake që të apelohen, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Ndër to, pika e pestë që është ajo nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi duke mos e konsideruar që merret në mënyrë kumulative tiparet e Dhomave të Specializuara të ngritura nga mbrojtja e Thaçit çojnë në përfundimin se Dhomat e Specializuara strukturalisht dështojnë të përmbushin nenin 61 (1) të KEDNJ.

“Pika e shtatë: për sa i përket të drejtës për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar në konstatimin se periudha përkatëse ka filluar vetëm më 17 nëntor 2019, pasi ka adoptuar një interpretim gabimisht kufizues të praktikës gjyqësore përkatëse të GJEDNJ-së”, thuhet në shkresë.

Tutje, edhe për pikën e tetë, që thotë kështu “nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi kur konstatoi se përfshirja e raportit të Dick Martyt në dokumentet themelore të Dhomave të Specializuara nuk e cenonte prezumimin e pafajësisë së z. Thaçi.”

E pika e fundit është ajo se nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi në përfundimin se çështja e mandatit të përkohshëm të Dhomave të Specializuara është “vendosur nga SCCC” në mungesë të ndonjë arsyetimi të mjaftueshëm dhe në një mënyrë që nuk është në përputhje me nenet 113(7) dhe 144(3) të kushtetuët, që sipas mbrojtjes gjyqtari i procedurës paraprake nuk e mori në konsideratë tërësisht.

Ndryshe, në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Kadri Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë./Insajderi.com