Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe i është përgjigjur Prokurorisë Speciale lidhur me rishikimin e paraburgimit për Thaçin.
Ai ka thënë së tashmë Thaçi ka marrë garanci me shkrim nga dy shtete.
”Më e rëndësishmja, që nga Vendimi i Parë, mbrojtja për Z. Thaçi tani ka marrë garanci me shkrim nga dy shtete, (“Shtetet e Treta”), njëra prej të cilave është një shtet kontribues, për të lehtësuar lirimin e z. Thaçi në territoret e tyre përkatëse”, ka deklaruar ai.
Megjithatë ende nuk dihet se cilat nga vendet kanë ofruar garanci për lirimin e Thaçit, teksa për këtë ishte përmendur edhe Sllovenia.
Kehoe, tutje ka thënë se pozicioni i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e paragjykon sjelljen e shteteve anëtare të NATO-s që mund të jenë garantuese për lirimin e Thaçit.
“GARANTUESIT SHTETËRORË SI PALË E TRETË “. Përderisa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka të drejtë që “shtetet e treta nuk e kanë detyrimin e njëjtë për të bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës si Kosova”, këto Shtete të Treta janë duke thënë se ato do ta bëjnë këtë. Pozicioni i Zyrës së Prokurorit të Specializuar se lirimi do ta “komprometojë në mënyrë thelbësore” zbatimin e kushteve të Dhomave Specializuara të Kosovës, e paragjykon sjelljen e këtyre shteteve anëtare të NATO-s, duke supozuar se ato në mënyrë të njëanshme do t’i shkelin apo ndryshojnë traktatet ekzistuese ndërkombëtare ose marrëveshjet “ad hoc” me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ky është spekulim i pabazë dhe fyes, sidomos në lidhje me një shtet kontribuues.”, thuhet në përgjigjen e Kehoe në versionin publik të redaktuar të publikuar në uebfaqene e Dhomave të Specializuara.
Sipas avokatit Kehoe nuk është e mundur që Dhomat e Specializuara të pranojë kontributet financiare të atij shteti e më pastaj të refuzojnë vullnetin e po atij shteti për t’i zbatuar urdhërat gjyqësorë.
“Nuk ka mundësi që Dhomat e Specializuara të Kosovës të kenë vullnet që t’i pranojnë kontributet financiare të (emri i shtetit i redaktuar) në buxhetin e vet operues, por pastaj t’i refuzojnë deklaratat e këtij vendi për vullnet që t’i zbatojë urdhrat gjyqësorë. As Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk mund të argumentojë se lirimi i përkohshëm duhet të mohohet për shkak se garantuesit nuk janë të detajuar mjaftueshëm”, ka pohuar ai./Insajderi.com
https://drive.google.com/file/d/1pJZN83NJNXUu9ZM8Uq53vSd0LlpWnOtE/view