Avokati i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Pejës për rihapje të shqyrtimit, si të padrejtë, njofton Insajderi.
Sipas Berishës, me këtë vendim është shkelur ligji “me të dyja këmbët”.
“Do ta luftoj këtë padrejtësi. Nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi nga asnjë presion, sepse nuk po themi që Shaban Gogaj nuk e ka vrarë Agonis Tetajt, por po shfaqim në publik që ajo që ka ndodhur para momentit tragjik nuk lidhet me rastin”, ka thënë mbrojtësi i Gogajt para mediave.
Berisha tutje ka akuzuar gjykatën se është “e lidhur me nja aktakuzë të ndryshuar dhe me një fajësi të pranuar.
“S’i besoj kësaj gjykate sepse çfarëdo vendimi që merr nesër do të jetë i ndikuar”.
Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që të shpallet e papërfunduar procedura penale në rastin e vrasjes së Agonis Tetaj.
Trupi Gjykues ka marrë vendim që të rihapet seanca e shqyrtimit gjyqësor, e gjithashtu të revokohet pranimi i fajësisë nga Shaban Gogaj.
Seanca tjetër për këtë rast do të mbahet më 21 prill 2021, teksa prokurori duhet të sjell prova të reja deri më 7 prill 2021.
E njëjta gjykatë më herët ia ka refuzuar kërkesën për përjashtim të trupit gjykues Isuf Tetajt, babait të Agonis Tetajt, i cili u vra në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”.
Tetaj kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues në trajtimin e rastit ku djali i tij mbeti i vrarë në vendin e punës nga i akuzuari Shaban Gogaj./Insajderi.com