Avokati i ish-krerit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson, në seancën e sotme paragjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë ka kërkuar lirimin e klientit të tij.
Ai tha se Prokuroria e ka pranuar se nuk ka prova kundër klientit të tij dhe këtë e kishte thënë hapur.
“Prokuroria kanë thënë hapur se nuk ka prova kundër tij as për kryerje fizike të krimeve, as për bashkëkryerje, as për ndihmë dhe inkurajim, apo marrje pjesë në ndonjë mënyrë tjetër në këto krime”, tha Emmerson.
Ai shtoi se Veseli do të duhej të lirohej menjëherë me një vendim që e shpallë atë të pafajshëm.
“Do të ishte e drejtë që Z. Veseli të kthehej në shtëpi menjëherë dhe të jepej vendimi për pafajësinë e tij”, tha avokati Emmerson.
Në anën tjetër, një prokurore nga Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se avokati i Veselit nuk po flet gjëra të sakta, ndërsa evotoi t’i kundërpërgjigjej atij direkt për çështjen e lirimit.
“Deklaratat e bëra nga Z. Emmerson qartësisht nuk janë të sakta”, tha prokurorja.
Ajo shtoi se mbrojtja po mundohet ta paraqes Prokurorinë si jo të gatshme për fillimin e procesit të gjykimit.
Ndërsa, Gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou, ka propozuar që konferenca e ardhshme për ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit të zhvillohet më 13 ose 14 shtator.
Me këtë propozim janë pajtuar edhe Prokuroria edhe avokatët mbrojtës.Insajderi.com