Avokati flet për kthimin e Sabit Gecit në Kosovë – thotë se nuk kishte fletarrest

Avokati flet për kthimin e Sabit Gecit në Kosovë – thotë se nuk kishte fletarrest

Ish-eprori i UÇK-së, Sabit Geci është kthyer në Kosovë pas raportimit se ndaj tij është lëshuar fletarrest.

Avokati i Sabit Gecit, Haxhi Millaku ka thënë se mbrëmë rreth orës 23:00 ai është kthyer dhe tani ndodhet në QKUK.

Sipas Millakut, ndaj Gecit nuk kishte fletarrest mirëpo mediat në bazë të dezinformatave e sollën atë në Kosovë përkundër faktit që është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“E konfirmoj se vullnetarisht Sabit Geci është vetë dorëzuar në spital mbrëmë rreth orës 23:00 dhe i kemi njoftuar të gjitha institucionet relevante edhe përkundër faktit se mediat e kanë sjellë në atë nivel që ai me kokëfortësinë e tij të rrezikojë shëndetin e tij dhe urgjentisht të kthehet sepse as që ka pas fletëarrest por mediat e prunën në një situatë që në bazë të dezinformatave ai të vije pa pas vendime të Gjykatës së Apelit që ai të kthehet”, ka thënë Millaku për lajmi.net.

Ai ka theksuar se mbi bazë të biopsisë është konstatuar se Geci ka kancer në mëlçi.

Sabit Geci është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile dhe për armëmbajtje pa leje.