Avokati Gashi: Speciales nuk mund t’i besojë askush pas rrjedhjes së dosjeve

Avokati Gashi: Speciales nuk mund t’i besojë askush pas rrjedhjes së dosjeve

Avokati Tomë Gashi në një postim në Facebook ka shkruar se dërgimi i paketës nga kushdo qoftë me 4000 dosje në selinë e OVL të UÇK-së është skandal në vete, që vë në dyshim kredibilitetin e Gjykatës Speciale në Hagë, njofton Insajderi.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dje e bëri publike se nga një person i panjohur me maskë, kapelë, syza dhe mjekër, është lënë para dyerve të zyrave një paketë me rreth 4.000 dosje të Gjykatës Speciale.

E avokati Gashi thotë se nga këto dokumente vërtetohet bashkëpunimi i Gjykatës Speciale me Prokurorinë e Serbisë për Krime të Luftës.

“Dërgimi i paketës nga kushdo qoftë me 4000 dosje, me rreth 1300 fletë të dokumenteve është skandal në vete, se sa mund t’i besohet Gjykatës Speciale në Hagë. Si është e mundur që të dalin nga Gjykata Speciale dokumente kaq të ndjeshme, të cilat sipas OVL-së përmbajnë edhe emra të dëshmitarëve, të dëshmitarëve të mbrojtur dhe ndoshta edhe të dëshmitarëve anonimë”, ka shkruar ai.