Avokati i Dalladakut tregon nëse ka prova që e ndërlidhin Veselin e Halitin me grupin e fajdeve

Avokati i Dalladakut tregon nëse ka prova që e ndërlidhin Veselin e Halitin me grupin e fajdeve

Avokati i biznesmenit Faton Dalladaku, Skënder Musa, ka thënë mbrëmë se si palë e dëmtuar, por as prokuroria, nuk ka prova që ndërlidhin kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe nënkryetarin e Kuvendit Xhavit Haliti, me grupin që u arrestua këtë javë nën dyshimet për fajde dhe detyrim.

Edhe pse në videot e publikuara nga KTV-ja, një nga folësit, Kadri Rexhepi, përmend Kadri Veselin si njeri që do të marrë paratë nga Dalladaku, Musa thotë se, sipas provave, edhe Veseli e Haliti janë “viktima njëjtë sikur Dalladaku”.

“Në bazë të provave e dëshmive që kemi, edhe zoti Veseli edhe zoti Haliti, janë viktima sikur Dalladaku sepse asnjë provë të vetme si palë e dëmtuar s’e kemi. As prokuroria nuk ka që e lidh Veselin e Haliti me Rrahim Hashimin e Kadri Rexhepin. Ajo që duhet të theksohet në këtë rast është se e kemi diskutuar këtë çështje, sidomos edhe për policinë, sepse ishim të brengosur, por s’ka rezultuar që kanë pasur kontakte”, ka thënë Musa në Interaktiv.

Në Interaktiv të KTV-së, Musa ka thënë se Dalladaku u kishte dhënë para Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit për të investuar në spital pasi “ishte bindur se në Spitalin Amerikan ka aksione edhe Kadri Veseli”. Ai ka thënë se Dalladakut i ishte thënë se aksionet e Veselit janë në emër të Hashimit, por “më pas doli që ishin letra të falsifikuara në emër të aksioneve”.

Musa ka thënë se Dalladaku i kishte besuar shumë Rexhepit sepse e kishte profesor dhe kujdestar klase. Ai ka thënë se Dalladaku kurrë s’ka marrë para nga Rexhepi, por vetëm i ka dhënë vazhdimisht.

Musa më tej ka treguar se njërën shtëpi të Dalladakut, ia kishte marrë Sami Nika “përmes mashtrimeve dhe detyrimeve”.

Ka thënë se janë të shqetësuar që të dyshuarit po mbrohen në liri e ka shtuar se do të bëjnë çmos që rasti të shkojë te Prokuroria Speciale e të hetohen të gjithë, qoftë edhe zyrtarë të Policisë, Prokurorisë e Gjykatave, që ishin të involvuar në rast.