Avokati i familjes Tetaj: Prokurori ka dëshmuar që është i anshëm

Avokati i familjes Tetaj: Prokurori ka dëshmuar që është i anshëm

Berat Tmava – avokati i familjes së Agonis Tetajt që mbeti i vrarë në një kompani në Deçan para dy vitësh, thotë se prokurori i rastit ka dëshmuar që është i anshëm, transmeton Insajderi.

Kështu është shprehur ai në Klan Kosova, duke thënë se me anë të një parashtrese ka kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues që kjo çështje të rigjykohet dhe prokurori i rastit të ndërrohet.

“Si guxon një prokuror i cili as nuk e ka ngritur aktakuzën dhe as nuk i ka zbatuar hetimet dhe ka ardhur aty pa asnjë arsyetim dhe në fjalën përfundimtare na vë para aktit të kryer dhe e bën rikualifikimin e veprës penale në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe nenin 350 të Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë ai.

“Nuk e di arsyen, por ne në shenjë revolte e kemi lëshuar sallën e gjykimit dhe e kemi parë që diçka nuk është në rregull. Nuk do të marrim pjesë as në shpalljen e aktgjykimit – nëse shpallet. Unë i kam shkruar një parashtresë kryetares së trupit gjykues ku kam kërkuar që kjo çështje penale të rigjykohet edhe një herë dhe prokurori i çështjes të ndërrohet nga ky rast, sepse e ka dëshmuar që është i anshëm. Prokurori i rastit, them me plot përgjegjësi, e ka luajtur rolin e avokatit dhe jo të prokurorit siç parashihet me dispozita ligjore”, ka shtuar ai.

Tmava thotë se nuk e kupton se si prokurori i rastit në fjalën përfundimtare nuk i jep vëmendje të veçantë ekspertizës që pasqyron gjithçka e madje as videoincizimit, por i bëjnë përshtypje deklaratat e punëtorëve të cilët ishin të pranishëm e që thonë se rasti ka ndodhur pa qëllim.

“E kam pranuar një kopje të fjalës përfundimtare të prokurorit të rastit i cili nuk i jep vëmendje të veçantë ekspertizës që pasqyron gjithçka e as videoincizimit, por i bëjnë përshtypje deklaratat e punëtorëve të Gogajve të cilët janë subjektivë se marrin rrogë aty që thonë se kishe ka ndodhur rasti pahiri. Këta dëshmitarë kanë qenë subjektivë të cilëve as prokurori dhe as askush tjetër nuk ka të drejtë t’ua falë besimin”, thotë ai.

Babai i Agonis Tetajt ka publikuar një video me pamje të rënda të ngjarjes që ka ndodhur në Deçan dy vjet më pare, ku shihet se si i akuzuari Shaban Gogaj kishte qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur të birin e tij, i cili ishte duke punuar në kompaninë e dorasit.

Publikimi i kësaj video është bërë si reagim pasi prokurori i rastit në fjalën përfundimtare, të martën, e ka rikualifikuar veprën penale nga “Vrasje e Rëndë” në “Vrasje nga Pakujdesia”. /Insajderi.com