Avokati i Popullit konstaton se gjatë pandemisë kishte shkelje të të drejtave të njeriut

Avokati i Popullit konstaton se gjatë pandemisë kishte shkelje të të drejtave të njeriut

Avokati i Popullit ka publikuar raportin që ka të bëjë me vlerësimin e realizimit të të drejtave shëndetësore gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 në Kosovë, ku thuhet se gjatë emergjencës shëndetësore kishte shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, njofton Insajderi.

Sipas një komunikate të këtij institucioni, raporti ka të bëjë me qasjen në kujdes dhe trajtim shëndetësor, kryesisht në institucionet e nivelit sekondar dhe terciar, duke u ndalur në veçanti tek kufizimet në ofrimin e shërbimeve shëndetësore (vizitat specialistike dhe operacioneve selektive), për personat që nuk ishin të infektuar me COVID 19.

Sipas njoftimit, raporti përfshin periudhën prej mars deri në shtator 2020.

Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se autoritetet përkatëse kanë dështuar të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore kundrejt qytetarëve, që potencialisht kanë pasur nevojë për shërbime shëndetësore.

Raporti po ashtu konstaton se një ndër sfidat tjera gjatë periudhës së raportimit ishte mungesa e bombolave të oksigjenit dhe krijimi i hapësirave shtesë me shtretër për të hospitalizuarit me COVID-19.

“Ndër të tjera, raporti konstaton se veprimet e autoriteteve shëndetësore për ndërprerjen e operacioneve selektive dhe ambulancave specialistike ishte pa bazë juridike, dhe po ashtu nuk kishin lënë asnjë lloj alternative se ku mund të trajtoheshin këta persona dhe shteti nuk kishte marrë përgjegjësitë që i takonin. Raporti thekson se mbrojtja e të drejtave dhe e lirive themelore të njeriut është thelbësore dhe shumë e rëndësishme për një përgjigje efektive në parandalimin dhe trajtimin e rasteve me COVID 19, por pa lënë anash cilindo qytetar/e që kërkon shërbime në institucionet shëndetësore, me fokus të veçantë të grupet e ndjeshme dhe personat tjerë, të cilëve u duhet përkujdesje e vazhdueshme shëndetësore. Raporti rekomandon Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe t’i krijojë të gjitha parakushtet që vizitat specialistike dhe operacionet selektive të kryhen pa pengesa. SHSKUK-ja po ashtu rekomandohet që të vazhdojë me vendosjen e rezervuarëve të oksigjenit në spitalet e përgjithshme ku është nevoja dhe të mos përsëriten situata të mungesës së oksigjenit për pacientët”, thuhet në komunikatë.

Avokati i Popullit thotë se rekomandimet i bëhen edhe Qeverisë për të rritur buxhetin për shëndetësinë dhe derisa të sigurohet zbatimi të ligjit për sigurime shëndetësore, në situatat kur shërbimet shëndetësore nuk mund të ofrohen nga sektori publike, qytetarëve t’u mundësohet që këto shërbime t’i marrin nga sektori privat dhe qeveria t’i marrë përsipër shpenzimet.

“Ministria e Shëndetësisë rekomandohet që të funksionalizojë sistemin unik dhe të integruar të informimit shëndetësor dhe po ashtu të ndërmerr të gjitha masat ligjore për t’i detyruar institucionet private shëndetësore që t’i grumbullojnë të dhënat shëndetësore, t’i ruajnë dhe t’i raportojnë ato”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com