Avokati i Popullit për vrasjen e trefishtë në Prishtinë: Policia u tha familjarëve ta duronin dhunën

Avokati i Popullit për vrasjen e trefishtë në Prishtinë: Policia u tha familjarëve ta duronin dhunën

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari,  në lansimin e projektit “Fuqizimi i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje faza e dytë”, përmendi rastin e vrasjes së dyfishtë dhe vetëvrasjes që ndodhi para tri javësh në Prishtinë, ngjarje kjo që tronditi gjithë vendin.

Jashari tha se kjo familje që nga viti 2002 ka raportuar dhunën që ka ushtruar kryefamiljari tek të tjerët familjar, por ata e kanë kthyer mbrapshtë familjen pa u bërë zgjidhje.

“Një rast që e patëm para tri javë ditë në Prishtinë një vrasje e dyfishtë dhe një vetëvrasje, të gjitha këto ndodhën gjatë një periudhe të një vikendi dhe nuk pat familje kosovare që nuk është tronditur. Kjo ishte informata preliminare që u lansua në media. Në vitin 2002 kjo familje e ka njoftuar Policinë se vazhdimisht ushtrohet dhunë në familje dhe policia i ka thënë se ju si familje e keni prind, e keni babë dhe kurrkush tjetër babë nuk ju bëhet, andaj keni kujdes dhe durojeni. Vazhdohet pastaj në vitin 2004, 2005, paraqitet rasti edhe në gjykata ndodh e njëjta gjë, është familjari juaj që ju ka mbajt e ju ka rrit, kjo është vlerësimi që e marrin. Pastaj vazhdohet tutje në 2008, prapë vazhdon problemi në polici, paraqitet rasti në gjykatë, lëshohet urdhër mbrojtje mirëpo praktikisht asgjë nuk ndodh. Në 2012 vazhdon storja prapë, familja detyrohet të merr banesë me qira, por për shkak të kushteve të këqija prapë detyrohen me u bashkua me familje. Në 2017 rasti paraqitet në prokurori, prokuroria bënë dosjen dhe e dërgon në Gjykatë, prej asaj kohe të gjitha institucionet heshtin. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai person ka pasur probleme shëndetësore mendor për të cilat kanë qenë në dijeni institucionet e kujdesit dhe nuk ka ndodhur prapë asgjë”, tha ai.

VIDEO

Koordinatorja e Projektit Divizioni për barazi gjinore – Këshilli i Evropës, Larissa Kireeva përmendi disa nga qëllimet kryesore të projektit “Fuqizimi i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, faza e dytë”.

“Ky është një projekt që është planifikuar për dy vjet dhe tashmë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në mars të vitit 2021. Qëllimi i këtij projekti  është luftimi i diskriminimit ndaj grave, raportimi, vetëdijesimi i shoqërisë në parandalimin e kësaj dukurie dhe ndërmarrjen e hapave konkretë nga ana e institucioneve”, u shpreh ajo.

Ndryshe, projekti është ndërtuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimit “Krijimi i hartës së shërbimeve për viktimat e dhunës kundër grave në Kosovë”, të realizuar në kuadër të fazës së parë të projektit në vitin 2017.