Avokati i Popullit ka bërë të ditur se ka vëzhguar për së afërmi zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura dje, më 14 shkurt 2021, gjithmonë duke pasur parasysh se e drejta për të votuar është thelbësore për demokracinë e bazuar në vullnetin e popullit.
Përmes një njoftimi për media, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) tregon se ka akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 43 punonjës të IAP-së, të cilët, të shpërndarë në ekipe lëvizëse (mobile), kanë vëzhguar procesin e votimit nga perspektiva e të drejtave dhe e lirive të njeriut në pothuajse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
“Nga ajo që është raportuar nga terreni, Avokati i Popullit konsideron se në tërësinë e vet, procesi zgjedhor është zhvilluar në një atmosferë të sigurt, i qetë, i lirë e demokratik. Pjekuria e qytetarëve në njërën anë, angazhimi maksimal të cilin KQZ-ja e ka treguar në tërësinë e vet në përgatitjet dhe në organizimin e këtyre zgjedhjeve, kanë shënuar moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe nivelin e demokracisë në vend. Prandaj, nga perspektiva e respektimit dhe e ushtrimit të kësaj të drejte politike, Avokati i Popullit shpreh konsideratën dhe vlerësimin e tij maksimal”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Avokati i Popullit vlerëson Policinë e Kosovës për mbështetjen profesionale që ka ofruar përgjatë gjithë ditës së zgjedhjeve nëpër të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar siguri dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral. /Insajderi.com