Avokati i Popullit thotë se ish-këshilltarit të Kurtit, Tienmu Ma, iu shkelën të drejtat nga Qeveria

Avokati i Popullit thotë se ish-këshilltarit të Kurtit, Tienmu Ma, iu shkelën të drejtat nga Qeveria

Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar se mosdhënia e leje-qëndrimit për ish-këshilltarin e Albin Kurtit, Tienmu Ma, përbën shkelje të të drejtave të tij, njofton Insajderi.

Këto përfundime Avokati i Popullit i ka nxjerrur pas shqyrtimit të kërkesës së Ma, i cili iu drejtua këtij institucioni.

Ai pretendonte se “veprimet e autoriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë shkelur të drejtat e tij kushtetuese e ligjore lidhur me trajtimin e kërkesës së tij për leje qëndrim në Republikën e Kosovës”.

Sipas raportit të Avokatit të Popullit argumentohet se “ka pasur shkelje të kryera nga Divizioni për të Huaj i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe po ashtu shkelje të kryera nga ana e Komisionit të Ankesave për të Huaj”.

Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit konstaton se “gjatë trajtimit të çështjes së z. Tienmu Ma ka pasur shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar, të së drejtës së privatësisë, si dhe të një numri të parimeve të përgjithshme të Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative”.

Pas konkluzioneve se ka pasur shkelje, Avokati i Popullit rekomandon “rishqyrtimin e çështjes në rastin e Tienmu Ma, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”.

Ma, që është shtetas amerikan, ka qenë këshilltar i Kurtit për disa muaj. Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim ia refuzojë Ma-së kërkesën për leje-qëndrim në Kosovë me gjashtë shtator.

Ai e apeloi këtë vendim përmes avokatit të tij, por edhe ky apel ishte refuzuar me 21 shtator dhe ishte marrë një vendim që Ma ta lëshonte vendin.

Arsyet që ishin dhënë për mos lejimin e qëndrimit ishin mos-përkthimi i diplomës së Ma nga anglishtja në shqip dhe pamundësia e tij për të dëshmuar se ka të ardhura vjetore së paku pesë mijë euro.

Gjithsesi, sipas Ma ai edhe ka arritur ta përkthejë diplomën e tij dhe gjithashtu ka dëshmuar përmes xhirollogarisë së tij se ka të ardhura më shumë se pesë mijë euro në vit./Insajderi.com