Avokati i Popullit ka konstatuar se kriterin me të cilin Universiteti i Prishtinës konstaton nëse ekziston konflikt interesi që një kandidat/kandidate për doktoraturë ka lidhje të drejtë gjaku me një apo më shumë anëtarë personeli akademik të njësisë përkatëse përbën diskriminim.
Nga ky institucion kanë kërkuar nga UP-ja që ta anulojë këtë kriter.
Sipas një njoftimi për media, më 6 nëntor të vitit të shkuar, kishte pranuar ankesën e Vegim Vulës, Zana Dragidellës dhe Ardi Ahmeti, si kandidatë për doktoraturë në Mjekësi dhe Ekonomik, e të cilët ishin ankuar për diskriminim në konkursin publik të UP-së të shpallur më 23 tetor 2020.
Ankesa kishte të bënte me kriterin “Kandidatët i nënshtrohen parimit të ndalimit të konfliktit të interesit sipas legjislacionit në fuqi, Kodit të Etikës dhe Udhëzuesit për Parandalimin e Konfliktit të interesit të Këshillit të Etikës në UP. Në mënyrë të veçantë, do të konstatohet që ekziston konflikt i interesit nëse kandidati/kandidatja ka në lidhje të drejtë gjaku një apo më shumë anëtarë të personelit akademik të njësisë akademike përkatëse”.
Kandidatët për doktoratë janë fëmijë dhe të afërm të profesorëve në Fakultetin Ekonomik dhe në Mjekësi. Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, ata duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë në raport me kandidatët tjerë.
“Trajtimi i pabarabartë përbën një praktikë në kundërshtim me konceptin e barazisë para ligjit, i përcaktuar me nenit 24 të Kushtetutës. Avokati i Popullit konstaton se UP-ja në mënyrë të drejtë, por me vonesë, i është adresuar Agjencisë Kundër Korrupsionit, si organ përgjegjës për vlerësimin e dilemës për konflikt interesi. Avokati i Popullit, duke iu referuar argumenteve të lartpërmendura, me qëllim të përmirësimit të punës së UP-së dhe për ta parandaluar diskriminimin e mëtutjeshëm ndaj parashtruesve të ankesës, i rekomandon Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ të krijojë politika të përshtatshme për të parandaluar urgjentisht çdo praktikë që paraqet trajtim të pabarabartë me rastin e publikimeve të konkurseve publike të tilla”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit, që ka shtuar se kërkon anulimin e këtij kriteri.
Ky institucion ka kërkuar nga UP-ja të adresojë dilemat e tilla tek AKK-ja pa i zvarritur./Insajderi.com