Avokati i Popullit publikoi sot opinionin ex officio lidhur me vlerësimin e strukturës së re tarifore në Kosovë që trajton ligjshmërinë dhe mbi të gjitha elementet e të drejtave të njeriut që mund të jenë shkelur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për përcaktimin e strukturës tarifore.
“Tarifat e ndryshme e të bazuara në nivel të konsumit të energjisë elektrike janë në kundërshtim me nenin 47 të Ligjit Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, ku theksohet domosdoshmëria që tarifat të kenë karakter jo diskriminues. Vendimi i ZRRE-së për të përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës krijon situatë të diskriminimit të pjesës tjetër të konsumatorëve. Gjithashtu, subvencionimi në mes të kategorive të konsumatorëve me çmime të rregulluara vë gjithashtu ZRRE-në në pozicion diskriminues. Vendimi për faturim retroaktiv dhe mos-reflektimi i saj në faturë si dhe mos-reflektimi i nivelit të subvencionimit në faturë përbën gjithashtu shkelje të të drejtës së konsumatorëve për informim. Masat afirmative të vendosura në vendimin e ZRRE-së nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë konsumatorët me çmime të rregulluara dhe nga shtrenjtimi nuk preken njëjtë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtim selektiv të çmimit të energjisë, për vendosje të bllok tarifave dhe vendimi për subvencionim gjithashtu selektiv bien në kundërshtim me parimet e vendosjes së tarifave të përshkruara në legjislacionin vendor, me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit. Avokati i Popullit e vlerëson të nevojshme që Qeveria e Kosovës të themeloi fondin e konsumatorëve në nevojë. Pakoja e re e paralajmëruar e legjislacionit në fushën e energjisë të përcaktoj qartësisht kufirin e varfërisë energjetike dhe ta ndërlidhë atë me të hyrat familjare në mënyrë që mbështetja për konsumatorët e cenueshëm të jetë e qëndrueshme, dinamike dhe të reflektoi situatën socio-ekonomike të tyre pa diskriminuar të tjerët. Diskriminimi bazuar në nivelin e konsumit duhet të hiqet dhe ZRRE në bashkëpunim me Qeverinë, Agjencinë e Efiçiencës së Energjisë dhe Fondin e Efiçiencës të gjejnë mekanizma tjerë të rritjes së vetëdijes apo nxitjes për efiçiencë pa kufizime të niveleve të konsumit dhe dallim të çmimeve për shfrytëzim të një komoditeti që duhet paguar për njësinë e shpenzimit, jo për volumin e tij”, thuhet në komunikatë.
Sipas Avokatit të Popullit, është e nevojshme që i gjithë procesi i përcaktimit të strukturës tarifore dhe lartësisë së tarifave të rikthehet në pikën zero dhe çdo proces i ardhshëm, të ndiqet nga parimet e mos diskriminimit etnik apo regjional dhe barazisë së konsumatorëve në tregun e rregulluar./Insajderi.com