Avokati i shoferit të autobusit: Asnjëherë s’më tha se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes

Avokati i shoferit të autobusit: Asnjëherë s’më tha se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes

Igor Cishper, avokati i shoferit të autobusit që dyshohet se shkaktoi aksidentin tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, ku mbetën të vdekur 10 persona, thotë se klienti i tij asnjëherë nuk i ka thënë se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes, transmeton Insajderi.

Cishper, i cili është njëri nga dy avokatët mbrojtës të shoferit të kompanisë “Deva Tours”, ka mohuar atë që është shkruar në mediat kroate e më pas edhe te ato në Kosovë, se shoferi që po hetohet për këtë aksident, kishte deklaruar se për një moment e kishte zënë gjumi.

“Në asnjë moment nuk ma ka thënë se ka fjetur”, tha Cishper, duke konfirmuar se ai dhe avokati tjetër Lubo Pavasoviq, do të mbrojnë shoferin gjatë procesit gjyqësor, përcjell “Index.hr”.

Shoferit 52-vjeçar, sot i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod.

Ai të hënën, në intervistimin nga Prokuroria kroate, u mbrojt në heshtje.

Të dielën e 25 korrikut, 10 persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në autostradë pranë Brodit të Kroacisë. /Insajderi.com