Avokati i Milaim Zekës reagon ndaj vendimit të Gjykatës

Avokati i Milaim Zekës reagon ndaj vendimit të Gjykatës

Mbrojtja e Milaim Zekës do të ankohet ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e një mase prej 30 ditëve arrest shtëpiak për klientin e saj.

Gazmend Halilaj, avokati i deputetit të Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, ka thënë se vendimi i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë është i pabazuar.

“Do të ankohemi ndaj këtij vendimi të gjykatës, mirëpo mbi të gjitha është rrëzuar kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Halilaj, pas vendimit të Gjykatës.

Halilaj ka thënë se nuk ekzistojnë kushtet ligjore që të caktohet kjo masë ndaj klientit të tij, Milaim Zeka.

“Do të ankohemi sepse ne jemi të bindur sepse nuk ekzistojnë kushtet ligjore që të caktohen asnjëra nga masat”, ka thënë Halilaj.

Një muaj arrest shtëpiak për Milaim Zekën

Më 3 tetor, Insajderi raportoi për mashtrimet me viza të deputetit të NISMA-s Milaim Zeka dhe biznesmenit Ilir Krasniqi.

Në një hulumtim të publikuar nga gazeta, raportohet se 920 kosovarë kishin provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e Zekës dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. /Insajderi.com