Avokati që kishte mbrojtur Ante Gotovinen i reagon Carl Bildt-it: Nuk duhet të japë dorëheqje Thaçi, por prokurori për veprim të paligjshëm

Avokati që kishte mbrojtur Ante Gotovinen i reagon Carl Bildt-it: Nuk duhet të japë dorëheqje Thaçi, por prokurori për veprim të paligjshëm

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, i cili kishte shërbyer edhe si përfaqësues i veçantë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ballkanin, ka kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të japë dorëheqje nga posti, pasi që u ngrit aktakuzë për të nga Gjykata Speciale, për krime lufte.

Bildt shkroi se “gjëja e duhur tani nga Hashim Thaçi do të ishte të japë dorëheqje nga pozita e tij e presidentit, duke ua mundësuar kështu partive politike të negociojnë dhe të shkojnë në zgjedhje të reja”.

Kjo, sipas Bildt do të mundësonte zgjedhjen e një qeverie të re, me bazë solide, që do të ishte përfaqësuese në dialogun mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Por, kjo deklaratë po e çuditë një ekspert që për ekspertizë ka pikërisht ligjin ndërkombëtar për krime.

Avokati amerikano-kroat Luka Misetiq, i cili në 2006 kishte mbrojtur në Tribunalin për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, Ante Gotovinen, i ka reaguar në Twitter Carl Bildt-it, duke i thënë se nuk është Thaçi, por dikush tjetër që duhet të japë dorëheqje.

“Propozim-akuza për Thaçin nuk është konfirmuar ende, por prapë Carl Bildt shkruan se Thaçi duhet të japë dorëheqje edhe nëse gjyqtari më vonë i tërheqë akuzat. Por, zotëri Bildt është prokurori që duhet të japë dorëheqje për veprim të paligjshëm. Jo Thaçi”, ka shkruar Misetiq në Twitter.

Misetiq është një avokat ndërkombëtarisht i njohur. Ai ishte zgjedhur nga revista Forbes në mesin e 100 personaliteteve kroate më të njohura nga të gjitha fushat./Insajderi.com