Avokati që u plagos në Tiranë dikur ishte prokuror

Avokati që u plagos në Tiranë dikur ishte prokuror

Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur të premten në Tiranë, shkruan Insajderi.

Burime paraprake për ‘tvklan.al’ thanë se një person shtiu me armë zjarri dhe vrau ish-dhëndrin e tij, ndërsa plagosi avokatin e viktimës.

Avokati i plagosur është identifikuar dhe bëhet fjalë për Adriatik Camën. Cama ka qenë prokuror dhe aktualisht ushtronte profesionin e avokatit. Ai është aktualisht avokati mbrojtës i efektivit të forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj, i cili më 8 Dhjetor të vitit të kaluar vrau Klodian Rashën.

Adriatik Cama u shkarkua si prokuror i Prokurorisë së Tiranës nga KPK-ja më 12 Korrik të vitit 2018. Sipas dosjes në Vetting, një raport nga DSIK ngrinte dyshime për përfshirjen e Camës në një aferë korruptive në vitin 2005, kohë kur ai drejtonte Prokurorinë e Lushnjes.

Sipas KPK, bashkë me një prokuror tjetër, Cama kishte marrë para nga familjarët e një personi të proceduar për “kontrabandë” për të pushuar hetimet ndaj tij. Në raport thuhej se Cama kishte zëvendësuar prokurorin e çështjes me një tjetër, i cili në 2 Qershor 2005 kishte pushuar çështjen.

“Adriatik Cama ishte person i mundshëm për t’u vënë nën presionin e personave të inkriminuar, sepse kishte pasur kontakte të papërshtatshme duke shkëmbyer dhurata apo favore me persona të përshirë në krimin e organizuar. Ky pretendim u kundërshtua me forcë nga ana e prokurorit Cama. Edhe kontrolli i pasurisë kishte vërejtur disa probleme në pasuritë e prokurorit ku KPK vlerësoi se ka mungesë burimesh të ligjshme për një përqindje të tyre”, thuhet me tej.

Cama ka qenë prokuror edhe në çështjen e atentatit ndaj aktorit Mishel Prela Manoku, ngjarje e ndodhur në Korrik të vitit 2017. Një nga çështjet e bujshme që ka përfaqësuar si ish-prokuror Cama ka qenë edhe procesi ndaj ish-deputetit Mark Frroku./Insajderi.com